Orban takon Trump, ndërmjetëson një tjetër takim me Putin?

Nga Rosalba Bejdo
7 Nëntor 2025, 15:11 | Bota

Kryeministri nacionalist i Hungarisë, Viktor Orbán, takohet sot me aleatin amerikan Donald Trump në Uashington, për herë të parë që prej rizgjedhjes së tij, teksa kërkon një “varkë shpëtimi” ndaj sanksioneve të SHBA-së për naftën ruse. Administrata Trump goditi me sanksione dy prej prodhuesve më të mëdhenj të naftës në Moskë, muajin e kaluar, në përpjekje për të detyruar Putinin t’i japë fund luftës, shkruan A2 CNN. Masat prekin Hungarinë, aleaten më të ngushtë në BE si të Rusisë ashtu edhe të Trumpit, e cila varet gjerësisht nga gazi dhe nafta ruse.

Orbán, që do të shoqërohet nga një delegacion i madh, përfshirë 6 ministra, ka thënë se do të kërkojë heqjen e sanksioneve ndaj energjisë ruse, duke e vlerësuar se Trump kishte gabuar nga pikëpamja hungareze. Në një intervistë për mediat italiane, në prag të takimit, Orbán tha se Budapesti ishte shumë i varur nga nafta dhe gazi rus, dhe se pa to çmimet e energjisë do të arrinin majat, duke shkaktuar reduktime në rezerva.

Ky do të jetë testi i parë ndaj linjës së ashpër që Trump ka filluar të ndjekë ndaj Moskës. Dyshja pritet të diskutojë mbi luftën në Ukrainë, me mediat që shkruajnë se Orbán do të përpiqet të ndërmjetësojë një tjetër takim mes Putinit dhe Trumpit, pas dështimit të atij të mëparshmit, të planifikuar në Budapest.

Ekspertët thonë se takimi me presidentin amerikan pritet t’i japë një fitore simbolike Orbánit, regjimi 15-vjeçar i të cilit përballet me një sfidë të paprecedentë në prag të zgjedhjeve të pranverës së ardhshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos