Shmanget masakra për ditëlindje, gruaja vret atentatorin i cili qëlloi drejt turmës

Nga A2 CNN
28 Maj 2022, 13:39 | Bota

Një grua në SHBA ka vrarë me armë një burrë që kishte hapur zjarr mbi turmën në një festë ditëlindjeje në Çarleston, Uest Virxhinia.

37-vjeçari Dennis Butler, i cili ishte me precendetë penalë, mbeti i vdekur në vend pasi nisi të qëllonte në drejtim të një grupi prej 40 personash.

Zëdhënësi i policisë lokale, Tony Hazelett, tha se reagimi i shpejtë i gruas shpëtoi jetë dhe mund të ketë parandaluar një tjetër masakër, si ajo e ndodhur pak ditë më parë në një shkollë në Uvalde, Teksas, ku 19 nxënës dhe 2 mësuese mbetën viktimë e një sulmi me armë.

Butler po ecte me makinë kur disa persona e paralajmëruan që të ulte shpejtësinë pasi aty po luanin fëmijë. Ai u largua për t’u rikthyer me një armë gjysmë automatike AR-15, dhe hapi zjarr mbi turmën e mbledhur për të festuar në oborrin e një pallati.

Zëdhënësi i policisë lokale, Tony Hazelett

Por fatmirësisht gruaja - e cila nuk është identifikuar - arriti të reagonte në kohë dhe të vriste atentatorin. Policia tha se pas ngjarjes ajo qëndroi aty dhe bashkëpunoi me autoritetet për zbardhjen e ngjarjes. “Ajo është thjesht një qytetare që mbante armë në mënyrë të ligjshme”, tha Hazelett. “Në vend që të largohej nga kërcënimi, ajo u përball me të dhe shpëtoi disa jetë”.

Nuk dihet ende sesi atentatori kishte siguruar një armë, pasi ligjërisht nuk i lejohej ta mbante për shkak se ishte i dënuar më parë për vepra penale. Ngjarja, që për fat përfundoi pa viktima të pafajshme, ndodhi në një moment kur debati për të drejtën e mbajtjes së armëve është rihapur edhe një herë, pas masakrës së Teksasit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos