“Shoferi paguhet 4 herë më shumë se një pedagog”, Berisha i përgjigjet Ramës

Nga A2 CNN
20 Tetor 2022, 20:15 | Politikë
“Shoferi paguhet 4 herë më shumë se një

Nga foltorja e Kuvendit, ish-kryeministri Sali Berisha i doli në mbështetje protestës së pedagogëve. Me tone të ashpra Berisha akuzoi qeverinë se paguajnë më shumë shoferët dhe kuzhinierët sesa lektorët në universitet. Sipas tij rrogat e pedagogëve nuk mund të rriten për shkak të korrupsionit galopant dhe shpenzimeve të luksit që bëhen nga qeveritarët.

“Isha në Gjirokastër, me tha pedagogia unë marr 600 euro, kolegia ime në Kosovë merr 1200 euro. Po pse, më të varfër se Kosova jemi ne, që i trajtojmë në këtë mënyrë. Sigurisht, sepse këta që kam pas, ja kërcasin biftekut 1 mijë euro. Marrin helikopterin taksi 15 mijë euro deri në Dibër. Marrin avionin taksi, 300 mijë euro për Nju Jork. Shkojnë dhe bëjnë fundjavë në Paris me avion taksi.  Sigurisht se paguajnë shoferin 4 herë më shumë se lektorin në universitet. I japin kuzhinierit të vet 500 mln lekë për librin e kuzhinës. Se i merr universiteteve 700 mln lekë në kundërshtim me çdo ligj, duke shkelmuar autonominë dhe çdo gjë. Po, po. Kjo është e vërteta.

Dhe prandaj pedagogët dalin, del elita e kombit, ajka e kombit janë ata. Absolutisht njëri prej tyre ka mend 3 herë më shumë se gjithë këta që janë pas shpinës time dhe rrinë e çuçurisin sa herë dal këtu.

Këtu po ndodh një politikë e dekapitimit të elitës kombëtare. E qëllimshme. Ç’ka ky me kombin shqiptar është shumë e vështirë ta marrësh vesh, por anti shqiptar si ky kombi nuk ka pasur në 110 vite të shtetit shqiptar. Unë u shpreh solidaritetin tim studentëve, pedagogëve. Ua ndërpreu 8 vite doktoraturat, por duhet të jesh injorant, s’mund të marrësh kurrë një vendim të tillë. Në procesin e doktorimit është kërkimi shkencor. Ua ndërpreu me urdhër injoranti, urrejtësi, kërkimin shkencor.

Por a mund të jetojë universiteti pa kërkimin shkencor. Universiteti thahet si ai lisi që i presin degët dhe bie. Hajdut si ky nuk ka pasur toka. Ç’bëni kështu more zotërinj.

Për ju e kam, e dini, ju keni vetëm një mision, të mbroni atë, por ç’është e vërteta do ta shikoni veten shumë shpejt limon të shtrydhur ju prej tij”.

Berisha iu përgjigj edhe akuzave të Ramës që kreu i sindikatës së pedagogëve ishte një ish-shiks.

“Ky nuk firmos dot për të vrarë poetin, por për të larguar masivisht studentët nga universitetet, por i vërsulet pedagogut, ish-ambasador i shkëlqyer se ka shërbyer në institucionin e sigurisë kombëtare. Më keni dëgjuar ndonjëherë mua të përmend Damian Gjiknurin, se ka shërbyer 2-3 vite drejtor në SHISH, kurrë. Për ato ja quaj merita unë. Kurse ai ka 3 ditë që u thotë shqiptarëve se një nga pedagogët më të shquar, Sandër Kovaçi ka punuar në SHIK dhe nën drejtimin e tij. Njeri që është shkonfiguruar. Sulmon si i tërbuar kundërshtarët politikë. Bën gjyqin e opozitarëve njëri pas tjetrit. E ka shndërruar skapin në repart kundër opozitës”, tha Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos