
Kriza energjetike ishte tema e debatit të seancës plenare të kësaj jave. Maxhoranca pranoi të fuste në rendin e ditës kërkesën e opozitës për të zhvilluar një mocion me debat për gjendjen energjetike ku akuzat ndërmjet palëve nuk munguan. Sali Berisha foli nga foltorja e Kuvendit për një skenar mbi faturimit të qytetarëve por që për ekzekutivin, ishin të pa vërteta.
“Ju keni instaluar kohët e fundit një sistem vjedhje të qytetarëve në pallatet private të vjetra. OSHEE ka urdhëruar që t’u faturohet pallateve të vjetra pa ashensor, pa pompa uji, që kanë vetëm 5 llamba, ju u faturoni 600 kilovat në orë. Çdo familje duhet të paguajë vjedhjen tuaj. Dhe thoni se keni ulur humbjet”, u shpreh Berisha.
“Foli subkoshienca juaj. Ato që i keni bërë vetë mendoni se i bëjmë edhe ne”, iu përgjigj Balluku.
Menaxhimi i rezervave hidrike ishte tjetër moment që përplasi kryedemokratin me numrin dy të qeverisë. Sipas Berishës, në kohën kur ishte kryeministër u firmosën për t’u ndërtuar mbi 400HEC-e, që për ekzekutivin janë të pasuksesshme përball projektit të Skavicës.
“Janë investuar dhe ndërtuar nga ajo qeveri dhe në vazhdim nga sektorin provat për 432 hidrocentrale që të gjitha në teknologji...e treta harroje Skavicën. Kur të mbysësh ti Dibrën do të çohet Enver Hoxha dhe Beqir Balluku nga varri”, vijoi Berisha.
“Skavica nuk do të ndërrohet. Skavica do të ndërtohet sepse është një projekt të cilin nuk e ka shpikur ai që dikur thoshte se ishte ëndrra, por është një projekt i cili është pjesë e kaskadës së Drinit”, u përgjigj Balluku.
Por si çdo seancë plenare, niveli i debatit pati ulje ngritjet e tij.
“Parat e dhëna nga taksapagueset për të paguar ju i bëni orgjira dhe vidhni në drejtime të tjera”, akuzoi Berisha.
“Burrë plak tani flet për orgjitë...i ka këto gjëra në kokë. Megjithatë unë do të flas për energjinë dhe jo për fantazitë tuaja seksuale”, përgjigjet Balluku.
Kryeministri Rama, ndonëse kishte rezervuar 30 minuta kohë për veten në këtë debat parlament, nuk u paraqit në seancë. (A2 Televizion)