
Në ditën e nëntë të fushatës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpërndarë fondet për subjektet zgjedhore që marrin pjesë në vendoret e 14 majit. Këto para kanë si qëllim për të ndihmuar partitë politike për të organizuar prezantimin e kandidatëve të tyre përpara qytetarëve.
Partia Demokratike me vulën zyrtare në dorën e Enkelejd Alibeajt, do të jetë partia opozitare që merr më shumë para, pavarësisht se në këto vendore do të garojë vetëm për 14 bashki. Nga shuma fillestare, KQZ ka marrë edhe borxhin e kësaj force politike prej 600 mijë lekësh.
Ndërsa në arkën e Partisë së Lirisë do të shkojë edhe fondi i vënë në dispozicion për Partinë Demokristiane të Nard Ndokës, që në këto vendore shkon në koalicion.
Fushata elektorale e Alibeajt nuk po zhvillohet vetëm në terren, por edhe në KQZ, pasi përfaqësuesi ligjor i tij në këtë institucion kërkoi që t’u tregohet qytetarëve që në përmbajtjen e fletës së votimit do të jetë edhe emri i Ilir Metës.
Të premten, Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për të vendosur në fletë emrin e Sali Berishës. (A2 Televizion)