
Ndryshe nga takimet e tjera ku sulmet i ka pasur për të vetët, gjatë prezantimit të kandidates së PD për Bashkinë e Patosit, Pranvera Rizai, Enkelejd Alibeaj hodhi akuza kundër Edi Ramës.
Sipas tij, prej 10 vitesh që Rama është në pushtet vendi ndodhet në krizë.
“Na kujton pikërisht atë që në 2013-ën nëse erdhi në pushtet Edi Rama, erdhi për shkak të një trafikimi votash, apo jo? Një parti deri në atë kohë aleate me Partinë Demokratike trafikoi votat dhe kaloi me të majtën, aty ku e kishte vendin në fakt.”
Sipas tij vendi është i zhytur në korrupsion në të gjitha hallkat e tij, ndaj dhe qytetarët kanë neveri për politikën.
Alibeaj bëri dhe një ekspozim të situatës se ku ndodhet Shqipëria, që në optikën e tij është në ditët më të këqija pasi krimi ka marrë hov, ai tha se për të ndryshuar këtë situatë po marrim pjesë në zgjedhje.
“Ne sot, PD është thirrur për të reflektuar dhe për ta ndryshuar këtë situatë. Situatë e vështirë, situatë e rëndë, por situata e vështira janë për njerëzit që kanë kurajo.”
Për kreun e komanduar të PD, lufta politike duhet bërë dhe kundër Berishës dhe Metës, pasi siç tha me ta Rama ndihet komod.
“A e keni parë këto ditë se cili është slogani që përdor Rama, kam përballë kam përballë Metën dhe Berishën. Ne dimë fare mirë pse e përdor, sepse e ka të sigurt fitoren, jo se është më i mirë.”
Vend për akuza pati dhe për Sali Berishën, të cilin e akuzoi se ka përçarë PD-në dhe nuk donte asnjëherë që kjo forcë të bashkohej, pasi sipas tij lideri historik nuk pranoi negociata mes palëve. (A2 Televizion)