
Tre adoleshentë kanë rënë në prangat e Policisë së Tiranës, pasi janë kapur duke shpërndarë drogë në zonën e Ish-Parkut në kryeqytet.
“Në kuadër të operacionit policor të koduar "Kontaktuesit", i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2, u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", i shtetasve: H. D., 17 vjeç, R. B., 16 vjeç dhe M. U., 17 vjeç”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, këtyre shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, dhjetëra doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa.
Këta shtetas, pasi siguronin sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa, e shisnin atë në zonën e quajtur "Ish-parku" dhe në zona të ndryshme të qytetit të Tiranës.
Ndërkaq në një tjetër operacioni policor të koduar "Sharra", të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6, është arrestuar një 32-vjeçar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Gjatë operacionit iu sekuestrua kokainë e ndarë në doza, gati për shitje, dhe bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. (A2 Televizion)