Disa shpërthime janë dëgjuar pak pas orës 05:00 me orën lokale në qendër të Kievit, ndërsa bombardimet ruse vazhdojnë. Mësohet se dy persona janë vrarë nga bombardimet në Kiev, të martën në mëngjes. Sipas shërbimit të emergjencës shtetërore të Ukrainës, në vendngjarje u gjetën trupat e dy personave, ndërsa 35 të tjerë u shpëtuan.
Lajmi është shpërndarë në rrjetet sociale, sipas të cilave të paktën 3 shpërthime ndodhën në një zonë banimi. Por sipas shërbimeve ukrainase të urgjencës, dy ndërtesa në zonat e banuara të Kievit u goditën nga sulme të veçuara herët në mëngjes.
Një ndërtesë apartamentesh raportohet se është goditur dhe djegur, sipas shërbimit të emergjencës shtetërore. Zjarri është shuar dhe një person është dërguar në spital.
Një shtëpi private në Osokorky, një lagje në lindje të qendrës së qytetit, u godit nga bombardimet pak para orës 6 të mëngjesit me orën lokale të martën, thanë shërbimet e urgjencës në një deklaratë.
Një zjarr ka rënë në pallatin dykatësh, por është shuar pak më pas dhe nuk raportohet për viktima.
Menjëherë pas raketës në Osokorky, një ndërtesë apartamentesh 10-katëshe në Podil, në veri të qendrës së qytetit, u godit nga një tjetër raketë, duke shkaktuar zjarr në pesë katet e para të ndërtesës.
Një nga shpërthimet e këtij mëngjesi ka dëmtuar edhe rrjetin e metrosë së Kievit. Raportohet se është dëmtuar fasada e stacionit Lukyanivska dhe zyrat.
Lukyanivska është mjaft afër qendrës së Kievit. Stacioni është mbyllur për shkak të dëmtimit. (A2 Televizion)