
Vaksinat aktuale kineze janë efektive kundër variantit Delta, e megjithatë ekspertët e Shëndetësisë në Kinë thonë se po punohet për zhvillimin e vaksinave të reja që do të shënjestrojnë posaçërisht variantet e fundit.
Zhong Nanshan, specialist i sëmundjeve respiratorë: “Sapo përfunduam një takim lidhur me çështjet e vaksinave. U tha se do të zhvillohen shpejt vaksina që shënjestrojnë variantin Delta. Teknologjitë janë tashmë të gatshme dhe ne mund të përdorim ato thjesht duke ndryshuar antigjenët. Nuk do të jetë e vështirë”.
Varianti delta detyroi Sidnein të rikthente izolimin dy javor nga kjo e diel. Një vatër infektimesh me mutacionin tejet të transmetueshëm u rrit në 110 raste në qytetin më të madh australian, e megjithatë izolimi nuk i pengoi banorët të dilnin nëpër rrugë apo të shkonin në plazhe.
“Të jem i sinqertë nuk duket si izolim. Ka njerëz nëpër rrugë, ose ndoshta u mësuam tashmë me idenë e lockdown-it dhe jemi më të përgatitur”.
Gjermania synon të vaksinojë 80 përqind të popullsisë, dhe premton doza të mjaftueshme për të gjithë në mënyrë që të frenojë përhapjen e variantit Delta. Vaksinimi do të mundësohet në pika të ndryshme të qytetit e madje edhe vende lutjeje.
Rusia, ku 90 përqind e rasteve janë të variantit indian, regjistroi të shtunën 619 viktima, ditë më vdekjeprurëse e vitit. Varianti është përhapur në mbi 90 vende, dhe pritet të jetë dominuesi ne Europë deri në fund të gushtit. (A2 Televizion)