Samiti NATO 2021, “ringjallja” e një aleance

Nga A2 CNN
27 Qershor 2021, 11:58 | Bota
Samiti NATO 2021, “ringjallja” e një aleance

Aleanca Veri Atlantike është e bashkuar dhe e gatshme për t’u reformuar në mënyrë që t’i përshtatet sfidave të sotmes dhe të nesërmes. Në samitin e parë fizik që prej shpërthimit të pandemisë, e të parin që prej largimit të Trump, aleatët përmendin Rusinë dhe Kinën si rreziqet kryesore ndaj NATO-s. Pasi i mbijetoi stuhisë Trump, nën udhëheqjen e të cilit përjetoi kohërat më të pasigurta që prej krijimit të saj, aleanca veri-atlantike shfrytëzoi samitin e këtij viti për të rikonfirmuar veten përballë një bote gjithnjë e më kërcënuese e për të hapur një kapitull të ri në historinë më shumë se 70-vjeçare.

Jens Stoltenberg,  sekretar i përgjithshëm i NATO: Takohemi në një moment kyç të aleancës dhe sot do të hapim një kapitull të ri në marrëdhënien tonë transatlantike”.

Me aleatin kryesor Shtetet e Bashkuara, sërish në të njëjtën shinë, lokomotiva e NATO-s lëviz tani në një terren më të sigurt, e nuk u ndal këtë vit as nga pandemia e koronavirusit. E megjithatë kriza shëndetësore globale i dha një fytyrë krejt tjetër, mbledhjes pas një viti mungesë, të 30 krerëve të shteteve që përbëjnë aleancën më të fuqishme në botë…Brukseli, dhe e gjithë zona rreth NATO-s u blindua si kurrë më parë. Me helikopterë, ushtarë dhe mjete të blinduara që patrullonin nëpër qytet.

Numri i pjesëmarrësve e po ashtu gazetarëve që u lejuan të ndiqnin eventin ishte i limituar, e pavarësisht akreditimit këtë vit, hyrja në eventet më të rëndësishme të ditës, kërkonte badge-in e mediave prestigjioze. Megjithë vështirësitë në një kohë aspak të zakontë, me kufizimet dhe regjimin e rreptë të kontrollit A2 CNN ishte aty për të ndjekur nga afër samitin që u konsiderua si një pikë kthese për aleancën e sprovuar në 7 dekada.

Joe Biden do të merrte pjesë për herë të parë, si presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, mbështetja e të cilit do të rikthente besimin e humbur dhe do t’i jepte hov angazhimit kundrejt sfidave të përbashkëta.

Në pjesëmarrjen e tij të parë në NATO, si president i SHBA, Joe Biden siguroi aleatët se SHBA janë të përkushtuara për një marrëdhënie të fortë e të qëndrueshme dhe se epoka e pasigurive, nën udhëheqjen e paraardhësit të tij ishte tanimë pjesë e së shkuarës.

Joe Biden, President i SHBA: “E bëra të qartë se qartë se angazhimi i SHBA ndaj Nenit 5 të traktatit të NATO-s është i fortë dhe Ii palëkundur. Është shenjtë. NATO qëndron e bashkuar. Kështu u jemi përgjigjur sfidave në të kaluarën dhe kështu do të bëjmë në të ardhmen. Amerika është rikthyer”.

Mesazhi i Biden ishte ai që donin të dëgjonin aleatët, pas 4 viteve me tallja e kritika nga paraardhësi i tij Donald Trump se pjesëtarët e tjerë përfitonin në kurriz të Shteteve të Bashkuara, duke mos e paguar pjesën e tyre të detyrimeve.

Pjesëmarrjet e manjatit të pasurive të patundshme në samitet e zhvilluara nga 2017 në 2019, sillnin në selinë e NATO-s një shfaqjes alla reality shoë, ndërsa e gjithë vëmendja binte tek një njëri i vetëm.

Donald Trump: “NATO nuk na ka trajtuar siç duhet, por do të gjejmë një mënyrë. Ne paguajmë shumë dhe ata shumë pak”.

Biden premton të rikthejë qëndrueshmërinë aq shumë të nevojshme, në kohëra më të turbullta të sigurisë globale; kur kërcënimi vjen nga të gjitha frontet;  e në një kohë kur regjime autoritare si Rusia dhe Kina sfidojnë më shumë se kurrë rendin kombëtar. Sjellja agresive e Rusisë në kufijtë e NATO-s, dhe ambiciet ushtarake në rritje të Kinës, janë shqetësime që kërkojnë riformësim urgjent të aleancës. Si një përgjigje ndaj skepticizmit, edhe brenda radhëve të saj, për atë që shihet si koncept i vjetëruar, por edhe si mënyrë për t’iu përshtatur një bote gjithnjë e më sfiduese prezantohet NATO 2030.

Strategjia NATO 2030 Në kuadër të programit, NATO 2030 aleatët morën vendime të rëndësishme për të fuqizuar konsultimet politike, mbrojtjen kolektive, për të thelluar përparësinë teknologjike, për të shtuar stërvitjet mes partnerëve dhe për të adresuar impaktin e ndryshimeve klimatike tek siguria.

Jens Stoltenberg: Një gjë e rëndësishme për të cilën u dakordësuam është fuqizimi dhe përshtatja e aleancës duke bashkëpunuar më shumë. Por nëse duam të bëjmë më shumë gjëra së bashkua, duhet edhe të investojmë më shumë, prandaj jam i lumtuar që u dakordësuam mbi të tre buxhetet, (civilë, ushtarakë dhe infrastrukturorë).

Aleanca e tha fort dhe qartë, se ishte e bashkuara dhe e vendosur për tu modernizuar, në një mesazh që i drejtohej kryesisht Kinës dhe Rusisë, te konsideruara si rreziqet kryesore të kohërave të sotme. Ndërsa e cilësoi marrëdhënien me Rusinë si në pikën më të ulët, për herë të parë, aleanca e krijuar për të mbrojtur Europën nga Bashkimi Sovjetik, e përmend Kinën si sfidë sistematike.

Joe Biden: Rusia dhe Kina po përpiqen të përçajnë solidaritetin tonë. Po shohim rritje të aktiviteteve dashakeqëse kibernetike.

Jens Stoltenberg: Ndikimi në rritje i Kinës dhe politikat e saj kombëtare, prezantojnë një sfidë ndaj sigurisë së aleancës.

Liderët u dakordësuan se kemi nevojë të adresojmë sfida të tilla si një aleancë, dhe se duhet të veprojmë ndaj kinës, për mbrojtjen e interesave tona të sigurisë. Kina nuk ishte përmenduar asnjëherë më parë në një deklaratë finale të samitit të NATO-s, përveçse në një referencë të shkurtër në vitin 2019, mbi ‘mundësitë dhe sfidat’ që vendi përbën për aleancën perëndimor, në kohën kur Trump ishte president. Anëtari më problematik i aleancës, Turqia, ishte një tjetër kokëçarje, që duhej adresuar në samit. Për herë të parë, pas përplasjeve të forta në distancë lidhur me vendimin e Turqisë për të blerë një sistem të mbrojtjes raketore nga Rusia S-400, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, u ul përballë presidentit amerikan Joe Biden.

Erdogan: Qëndrimi ynë e po ashtu i Shteteve të Bashkuara ishte i qartë. Ajo që ndodhi është se SHBA nuk na e dha sistemin patriot, kështu u detyruam të blinim S-400 –n ruse. Ramë dakord se ministrat tanë të jashtëm dhe të mbrojtjes do të diskutojnë mbi çështjen, për të parë se ç’mund të bëjmë.

Në samit ishte i pranishëm edhe kryeministri shqiptar Edi Rama. Shqipëria u anëtarësua në organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut, në vitin 2009 dhe është bërë pjesë e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, Bosnjë Hercegovine, Irak dhe Afganistan. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos