
Krizës energjetike që ka prekur vendin i kanoset edhe një tjetër rrezik, ai i shfrytëzimit të saj për qëllime kriminale. Shqetësimin e ngriti të mërkurën edhe administratori i OSHEE, Adrian Çela në Mbledhjen e Komitetit të Energjisë. “Kemi konstatuar raste të përdorimit të energjisë për kriptomonedha dhe kanabis”, deklaroi ai.
Vetëm 24 orë pas ngritjes së këtij problemi, policia gjeti një shtëpi që ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike në Laç.
Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa thotë se për të parandaluar vjedhjen e energjisë nga të ashtuquajturat “shtëpi bari”, duhet punuar për identifikimin e punonjësve shtetërore që shpeshherë ofrojnë lehtësi për grupet kriminale.
“Pa ata nuk mund të bëhet, pa një punonjës të energjisë elektrike nuk mund të ndodhë, ashtu si pa patur kontakt më një punonjës policie të zonës”, thotë Softa.
Kriptomonedhat janë armiku tjetër. Po sa energji harxhohet për prodhimin e tyre? “Sa një furrë buke. Kaq harxhohet, për një mining serioz”, thotë Genti Progni, ekspert i kriptovalutave.
Ndryshe nga shtëpitë e barit, identifikimi i kriminelëve kibernetik është proces i vështirë, gati i pamundur thonë ekspertët. “Nuk i zbulon sepse përdorin IP të huaja, dhe del sikur është në një vend tjetër”, shton Progni.
Vetëm vitin e shkuar u ndaluan rreth 20 persona nën akuzën e shfrytëzimit të energjisë elektrike për kultivimin e lëndëve narkotike apo prodhimin e kriptomonedhave. Bashkë me anëtarët e grupeve kriminale, arrestime pati edhe në radhët e punonjësve të sektorit energjetik. (A2 Televizion)