Tregtia me rajonin, nivele “anemike” me Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën

Nga A2 CNN
29 Korrik 2021, 12:41 | Ekonomi
Tregtia me rajonin, nivele “anemike” me Serbinë,

Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me vendet e rajonit janë në nivele thuajse të papërfillshme. Ndërsa tregtia e vendit tonë është e orientuar kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Europian, ku partnerët kryesorë mbeten Italia dhe Greqia, me fqinjët shkëmbejmë shumë pak mallra e produkte.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, eksportet shqiptare drejt Serbisë nivelin më të lartë e kanë pasur në vitin 2018 me 8 miliardë lekë, teksa ranë sërish vitin e kaluar në 6.2 miliardë lekë.

Ndërsa mallrat serbe në tregun shqiptar janë më konkurruese. Importet nga Serbia kapën në vitin 2020 shifrën e 22.9 miliardë lekëve, duke qëndruar pak a shumë në nivelet e viteve të mëparshme.

Përsa i përket tregtisë me Maqedoninë e Veriut, shkëmbimet paraqiten në nivele shumë të ulëta dhe relativisht të qëndrueshme.

Eksportet tona drejt tregut maqedonas shënuan vitin e kaluar 8.8 miliardë lekë, duke ruajtur pak a shumë të njëjtat kuota me vitet e mëparshme, ndërsa importet nivelin më të lartë e kanë shënuar në vitin 2018 me 9.5 miliardë lekë, teksa ranë sërish vitin e kaluar në 9 miliardë lekë

Vendi me të cilin Shqipëria ka shkëmbime më të shpeshta tregtare në drejtim të eksporteve është Kosova. Kjo do të thotë se produktet shqiptare depërtojnë më lehtë në tregun kosovar se sa produktet nga Kosova në tregun tonë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se eksportet drejt Kosovës ishin vitin e kaluar në kuotën e 26.2 miliardë lekëve, ndërsa kanë shënuar nivelin më të lartë në 2019-n me një shifër prej 29.8 miliardë lekësh.

Përsa i përket importeve, në vitin 2020 ato u vlerësuan në 8.3 miliardë lekë, duke qenë pak e shumë në nivelet e një viti të mirë. Edhe me Kosovën shifrat tregtojnë se tregtia mbetet në nivele anemike dhe dy vendet nuk po arrijnë të shfrytëzojnë dy avantazhet e mëdha që kanë: afërsinë gjeografike dhe gjuhën e përbashkët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos