
Migena Qyra, konsulente biznesi, u shpreh në studion e “A2 Business” se përcaktimi ligjërisht i minimumit jetik është domosdoshmëri, por ajo shtoi se shteti, në bazë të vlerës që do të përcaktohet, duhet të ndërmarrë politika të tjera për të ndihmuar qytetarët.
Institucioni i Avokatit të Popullit hodhi për konsultim publik draft-raportin e ri për minimumin jetik në Shqipëri. Sipas dokumentit, vlera e përllogaritur në këtë studim të minimumit jetik të nevojshëm në Shqipëri, është 17 875 lekë.
“Mjafton të bisedosh me shitësit në ushqimoret e lagjes për të kuptuar se si është gjendja. Produktet ushqimore bazë kanë pësuar rritje çmimi, ndërsa frutat dhe perimet nuk pësojnë rënie as kur janë në sezon”, u shpreh Qyra.
“Nuk duhet të qëndrojmë vetëm në faktin e përcaktimit ligjërisht të minimumit jetik, pavarësisht se është domosdoshmëri. Bazuar në këtë vlerë, shteti duhet të ndërmarrë politika të tjera”, shtoi konsulentja e biznesit. (A2 Televizion)