Ka vijuar edhe sot, në ditën e dytë, vaksinimi masiv i të moshuarve +70 vjeç në sheshin “Skënderbej”. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, theksoi se procesi po shtrihet në të gjithë vendin. “Vaksinimi vijon në të gjitha qytetet, ne jemi shtrirë në mënyrë kapilare në të gjitha qendrat shëndetësore, por edhe në qendrat e vaksinimit të përqendruar në të gjitha rrethet. Ne dje kemi arritur të vaksinojmë 11 487 persona dhe kemi arritur atë targetin e vendosur dhe sigurisht objektivi ynë është të kalojmë 10 mijë vaksinime në ditë. Në tërësi kemi mbi 78 mijë vaksinime të kryera, procesi po ecën shpejt, sidomos në qendrat e vaksinimit të përqendruar”, tha Manastirliu. Ndërkohë, Kosova siguroi vaksinat e para kundër kosonavirusit. 24 mijë doza të vaksinës së Astrazeneca mbërritën mbrëmjen e së dielës në aeroportin “Adem Jashari”, ndërsa fushata e imunizimit nis këtë javë. (A2 Televizion)
Shqipëria nis vaksinimin masiv, Kosova merr dozat e para
