
Ish-peshëngritësi i njohur Pirro Dhima paraqiti dorëheqjen e tij si këshilltar i ministrit të Sportit Yiannis Vroutsis në Greqi, disa orë pas arrestimit të vëllait të tij.
Media e njohur greke “Protothema”, raporton se lëvizja e Dhimës u bë për “arsye ndjeshmërie”, megjithatë ministri nuk e pranoi dorëheqjen e tij, duke argumentuar se nuk ka përgjegjësi familjare. "Çfarë lidhje keni ju me këtë?" thuhet se u përgjigj ai kërkesës së Dhimës.
Pirro Dhima mbetet në pozicionin e sekretarit special në Federatën e Peshëngritjes.
58-vjeçari Odise Dhima u vu në pranga mëngjesin e së enjtes, në një zonë të Atikës. Sipas hetimeve, ai dyshohet se, duke ushtruar aktivitetin si trajner i peshëngritjes, siguronte dhe u shpërndante sportistëve substanca dopingu që prej prillit të vitit 2024.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në një banesë dhe në ambiente sportive në Atikë, autoritetet greke sekuestruan 871 njësi medikamentesh dhe substancash të paligjshme dopingu, në formën e tabletave dhe ampulave.
Sipas autoriteteve greke, këto preparate nuk ishin të miratuara nga Organizata Kombëtare e Barnave dhe paraqisnin rrezik për shëndetin. (A2 Televizion)