Xhufi: Është kompromentuar pozicioni i Shqipërisë përballë BE

Nga A2 CNN
14 Nëntor 2026, 21:37 | Politikë

Historiani dhe akademiku Pëllumb Xhufi deklaroi se pozicioni i vendit tonë në raport me Bashkimin Europian është kompromentuar.

“Nuk prisja sot që në atë tubim të Partisë Socialiste të kishte reagim nga ata djem e vajza. Nuk mund të dilnin kundër se pritej të fliste kryesori, ai që i ka zgjedhur ata. Me shumë finesë, zoti Rama i ktheu si të thuash shigjetat e publikut ndaj tyre, të cilët jam i bindur që për shumë gjëra që kanë ndodhur në këto vite s'janë të informuar fare. Kanë ndodhur zhvendosje të mëdha në politikën e jashtme, të cilat e kanë komprometuar pozicionin e Shqipërisë në raport me Europën. Kot thuhet që e kemi dy hapa larg integrimin në BE. Sepse po të hapësh faqen e Bashkimit Europian do shohësh që një nga kërkesat është që vendet kandidate duhet të ndajnë politikën e jashtme të Bashkimit Europian. Të gjithë po të sjellin në mend këto gjëra që kanë ndodhur këto 3-4 vitet e fundit se sa ne jemi të alineuar me politikat e Bashkimit Europian. Po them vetëm një fakt. Para 10 ditësh erdhi ministri i Jashtëm i Izraelit dhe një ministër i Jashtëm i Izraelit nuk bën vizita informale. Erdhi një vizitë e papritur për të cilën s'kishte ndonjë njoftim. Atë ditë që u dha lajmi që do vinte ministri i Jashtëm izraelit, komisionerja europiane për politikat e jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, tha pikërisht këtë gjë: “Ne nuk fusim në Bashkimin Europian vende të cilat nuk ndajnë politikën tonë të jashtme”, u shpreh Xhufi në studion e “Terminal” nga Loneta Progni, në A2CNN.

Sipas tij, “kur erdhi Partia Socialiste në 2013, parulla e zotit Rama ishte “do bëjmë shtet”.

“Si mund të bësh shtet në një vend i cili sot e kësaj dite ka problemin e sigurisë, e ka problem cardinal, të pakapërcyer edhe pas 35 vjetësh. Si do bësh shtet kur ti merr dhe vendos në një vend shumë delikat vendos dikë që vjen nga Kosova, e cila nuk ka pasur asnjë lidhje me Shërbimin Informativ Shqiptar? Edhe për pjesën e dhunshme të protestave, çfarë ka zbuluar SHISH-i? Asnjë njoftim nuk ka publikuar. Po kjo gjë ndodh me Mbrojtjen apo me sistemin juridik”, shtoi Xhufi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos