Krim kundër njerëzimit e ka cilësuar kryeministri Rama skemën e mjekëve të Onkologjikut të cilët bënin tregti me pacientët me sëmundje të rënda. Gjatë një takimi me shefat e shërbimit në QSUT disa ditë pas publikimit të dosjes tronditëse, Rama ka përligjur revoltën e qytetarëve ndaj kësaj çështje.
Sipas kreut të qeverisë mjekët e përfshirë në skemën korruptive duhet të marrin ndëshkimin e merituar nga drejtësia, por edhe nga Zoti. Për më shumë se 40 minuta në komunikimin e tij përballe mjekëve dhe shefave të shërbimit në QSUT, kryeministri ju kujtoi se çdo financim i bërë në shëndetësi dhe së fundmi në rritjen e pagave të stafeve mjekësore, është investim i taksapaguesve shqiptarë.
Kryeministri kërkoi nga bluzat e bardha që të kryejnë më përgjegjësi misionin e tyre, ndonëse pranoi se mjekëve ju mungon empatia apo njerzillëku ndaj pacientëve. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka gati ndryshimet ligjore në Urdhrin e Mjekut.
Ministrja Albana Koçiu renditi para stafeve mjekësore ashpërsimin e masave, deri në heqjen e licencës, për mjekët që punojnë edhe në privat edhe në shtet, ata që shkelin etikën, protokollin mjekësor apo që transferojnë në klinika private pacientët e shërbimit publik.
Kreu i qeverisë dhe ministrja e shëndetësisë shprehën bindjen se rrjeti i disa mjekëve në QSUT, nuk mund të njollosë punën dhe bluzat e bardha të gjithë stafeve mjekësore. Procesi i autonomisë spitalore që do të nisë së shpejti në QSUT por edhe 12 spitalet e tjera pritet t'i japë fund praktikave korruptive në sistemin shëndetësor. (A2 Televizion)