100 qytetarë me shenja helmimi në Bulqizë, prefekti: Ndoshta nuk është uji

Nga A2 CNN
8 Korrik 2024, 17:32 | Aktualitet

100 qytetarë me shenja helmimi në Bulqizë, prefekti: Ndoshta nuk

Rreth 100 qytetarë janë paraqitur në spitalin e Bulqizës përgjatë fundjavës dhe ditës së sotme me shenja helmimi. Në lidhje me këtë rast të përsëritur në këtë qytet, ka folur në “Ditarin me Bruna Çifligun” prefekti i qarkut të Dibrës Nexhbedin Shehu.

Sipas tij, analizat paraprake të nxjerra nga laboratori i Bulqizës kanë treguar se uji është i pijshëm, por priten analiza më të specializuara nga ISHP.

“Rreth 100 qytetarë janë paraqitur në spitalin e Bulqizës për ndihmë mjekësore kryesisht me shenja helmimi, por asnjë i hospitalizuar. Prej 3 ditësh janë bërë analizat e ujit është bërë hetim epidemiologjik. Analizat paraprake që ka nxjerrë laboratori i Ujësjellës-Kanalizimeve dhe shërbimi i kujdesit shëndetësor Bulqizë; uji është i pijshëm, por ISHP ka sjellë një grup sot dhe po bën analizë të thelluar. Nesër do të kemi një përgjigje se nga vjen helmi mi i banorëve”.

Ajo që bie në sy, sipas prefektit, është fakti që njerëzit e paraqitur në spital janë nga më shumë se një ujësjellës, ndërsa konfirmon se me shenja helmimi janë paraqitur edhe fëmijë.

“Shpërndarja e njerëzve që vijnë në spital është më shumë se nga një ujësjellës. 5 qytetarë ishin para një ore duke marrë mjekim. Raste të rralla, por ka patur edhe fëmijë”.

Shehu thekson gjithashtu se të gjithë ujësjellësit, përveç atij të Gjoricës janë në parametrat e duhur. Ai ngre dyshimet se ndoshta nuk është vetëm uji shkaku kryesor i helmimit të banorëve.

“Ujësjellësit janë në parametra, ujësjellësi i Gjoricës është i papijshëm edhe e përdorim vetëm për vaditje, se nuk ka garanci, ndërsa ujësjellësit e tjerë janë në parametra. Ndoshta nuk është edhe uji. Sot presim një përgjigje të thelluar, por ka edhe një analizë për pesticide që mund të zgjasë deri 2-3 javë. Nuk ka ndërhyrje në ujësjellësin e Bulqizës. Punimet e fundit që janë mbyllur të mërkurën dhe specialistët thonë që uji është i pastër.  Kapacitetet e spitalit janë të plota, grupet e punës po hetojnë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos