Forcat e Armatosura shqiptare festojnë sot 112 vjetorin e krijimit në një kohë që Ministria e Mbrojtjes ka shpallur thirrjen për bashkimin në ushtri të 2100 rezervistëve. A2 CNN ishte mëngjesin e sotëm pranë këtij institucioni ku bisedoi me majoren Denisa Pëllumaj. Ajo ndau për “Dita Jonë” detajet e kësaj nisme të lindur nga nevoja e situatës në rajon dhe emergjencat globale. Sipas saj pjesë e këtij kontingjenti mund të jetë çdo shtetas shqiptar i padënuar, por prioritet do të kenë ish-ushtarakët.
“Pjesë e këtij grupi mund të bëhen shtetasit shqiptarë, të mos kenë probleme me ligjin, të mos kenë qenë dënuar dhe mosha maksimale e ushtarëve rezervistë është 50 vjeç, për nënoficerë rezervistë 55 vjeç dhe oficerë rezervistë 60 vjeç. Pjesë e kësaj force është shërbimi vullnetar. Kush ka dëshirë mund të bëhet. Fokusi do të jetë për ata ish-ushtarakë që e kanë lënë ushtrinë. Të gjithë të interesuarit mund të lënë kredencialet”.
Pëllumaj theksoi se deri më tani kanë aplikuar 400 qytetarë, ndërsa vihet re edhe një numër i lartë femrash.
“Deri tani janë mbi 400 qytetarë që janë interesuar për t’u bërë pjesë e kësaj force. Ka një numër të lartë femrash që duan të bëhen pjesë e shërbimit ushtarak dhe jo vetëm ushtarak, por edhe aktiv. Kemi femër pilote mekanike teknike”.
Çdo individ që do të bëhet pjesë e rezervistëve do të thirret 15- 40 ditë në vit. Do të paguhen. Të drejtat e tyre do të jenë të njëjta me ato të ushtarit aktiv.
Ndërkohë prej tetorit janë hapur aplikimet edhe për ushtar tetar aktiv në FA që është ndryshe nga ushtari rezervist.
“Kemi hapur aplikimet për ushtar tetar aktiv në FA që është ndryshe nga ushtari rezervist. Mosha minimale 18, maksimale 30 vjeç. Ka interes të të rinjve për tu bërë pjesë e FA për shkak se ka ndryshuar trajtimi i pagës dhe në vlerë në ushqim., numri i të rinjve është i lartë”, tha ajo.
Forcat e Armatosura shqiptare u krijuan më 4 dhjetor 1912, pak ditë pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë. Krijimi i Forcave të Armatosurave erdhi si një nevojë e natyrshme e një shteti sovran, të pavarur dhe që kërkonte të mbronte kufirin e saj nga tundimet e huaja të shpeshta për shekullin e shkuar.
Shqipëria konsiderohet si vendi i dytë në NATO sa i përket numrit të ushtarakëve të dislokuar në misione, në raport me personelin aktiv të Forcave të Armatosura.
Forcat e Armatosura të Shqipërisë, në operacione ushtarake të drejtuara nga NATO, BE dhe OKB, nga 1996-2020, janë angazhuar me rreth 7.808 ushtarakë gjithsej. (A2 Televizion)