“Institucionet e papërgjegjshme vrasin”- Mbahet protesta e radhës në Tiranë pas ekzekutimit të 14-vjeçarit

Nga A2 CNN
3 Dhjetor 2024, 18:04 | Aktualitet

Ditën e sotme po mbahet protesta e katërt e prindërve të fëmijëve dhe shoqërisë civile, pas vrasjes me thikë të 14-vjeçarit Martin Cani në Tiranë.

Protesta ka nisur në formë marshimi nga shkolla Fan Noli, ku ndodhi edhe ngjarja e rëndë pak ditë më parë, e deri te Ministria e Arsimit, shkruan A2 CNN.

Prindërit e nxënësve kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre, që lidhen me sigurinë në shkolla, rritjen e numrit të oficerëve të sigurisë, rritjen e buxhetit për arsimin, kufizimin mbi rrjetet sociale dhe dorëheqjen e ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

“Institucionet e papërgjegjshme vrasin”- është pankarta kryesore me të cilën po marshojnë protestuesit.

Kujtojmë se vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani në Tiranë dhe plagosja e shokut të tij, Luis Meçe, nga një bashkëmoshatar i tyre, ka tronditur mbarë opinionin publik në vend.

Kryeministri Edi Rama pas ngjarjes së rëndë, paralajmëroi mbylljen e rrjetit social Tik Tok, me pretendimin se promovon dhunë te të rinjtë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos