Kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa, deklaroi se të paktën 20 familje janë prekur si pasojë e zjarrit në qendrën tregtare, që përfshiu më vonë dhe dy kullat e banimit pranë saj.
Sefa u angazhua se Bashkia i ka marrë të gjitha masat për strehimin e këtyre familjeve, teksa ka përgatitur dhe konviktin e shkollës mekanike, për përballimin e situatës.
Kryebashkiakja premtoi se pasi të bëhet rivlerësimi i dëmeve, bashkia do të bëjë dhe kompensimin sipas ligjit.
“Të gjitha familjet e evakuuara pasi morën shërbimin shëndetësor janë larguar tek të afërmit. Po kontaktojmë me familjet që kanë nevojë për akomodim. Ne kemi bërë gati konviktin e shkollës mekanike dhe në rast se do të ketë nevoja do të marrim banesa me qira dhe pagesën do ta mbulojë bashkia. 20 familje janë banuese, të tjerët janë emigrantë. Pasi të përfundojë ekspertiza, bashkia me grupin e saj do të bëjë një vlerësim dhe do të japë kompensim sipas ligjit”, u shpreh Sefa. (A2 Televizion)