Krishtlindja në Shqipëri, në diktaturë ''blasfemi'', sot festa kryesore e fundvitit

Nga A2 CNN
25 Dhjetor 2023, 17:03 | Aktualitet

Në dekadat e gjata të regjimit diktatorial blasefmia ishte të festoje Krishtlindjen apo çdo festë tjetër që lidhej me besimin në Zot. Klerikë që ishin pushkatuar e dënuar në burgjet e komunizmit dhe kishat e xhamitë e shkatërruara apo të kthyera në salla sporti e mbledhjesh partish, ishte një mesazh i qartë për shoqërinë shqiptare.

Duhet të ishe guximtar të merrje përsipër rrezikun e përballjes me regjimin të uroje festën tënde fetare qoftë dhe vetëm brenda mureve të shtëpisë me familjarët e tu. Asokohe, festa e fundvitit dhe pema e Krishtlindjes ishte në fakt vetëm ajo e Vitit të Ri.

Por komunizmi nuk mundi ta shuante dritën e Krishtlindjes, dritat që sot zbukurojnë katedralet, shtëpitë, rrugët, qytetet shqiptare. 

Dritat, meshat e mbajtura, psalmet që jehojnë njëlloj si kambanat e kishave lajmërojnë Krishtlindjen e bashkë me të edhe urimet e shqiptarëve për njëri-tjetrin.

Festa ka nisur në mesnatë, por takimet, gotat që trokasin me urime dhe tavolina që ruan gatimet e festës për çdo vit vijojnë deri në drekën e 25 dhjetorit. 

Dalëngadalë këtyre viteve, Krishtlindja po shndërrohet në festën kryesore të fundvitit e të udhëheq deri në natën e ndërrimit të viteve me urimin e një viti të mbarë e të begatë  

Prej 33 vitesh, shqiptarët të lirë për të festuar, janë bashkë pa dallim të besimeve fetare, njëlloj si Shqipëria e bashkëjetesës fetare, njëlloj si qytetet ku përballë qëndrojnë kisha dhe xhamia, edhe zemrat e shqiptarëve qëndrojnë përballë njëra-tjetrës për të uruar ditë të bardha e plot shëndet.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos