Në Vlorë është zhvilluar sot ceremonia shtetërore e Ditës së Pavarësisë, një nga momentet më të rëndësishme të festimeve tradicionale të 28 Nëntorit. Para Monumentit të Pavarësisë, në sheshin historik ku u ngrit flamuri më 1912, u mbajt ceremonia zyrtare që shënon 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Personalitetet më të larta të shtetit vendosën kurora me lule në nder të themeluesve të shtetit shqiptar, ndërsa ceremonia u shoqërua me ekzekutimin solemn të Himnit Kombëtar. Të pranishëm në aktivitet ishin Presidenti i Republikës, Bajram Begaj; Kryeministri Edi Rama; Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi; Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani; Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu; si dhe kryebashkiakja e Vlorës, Brunilda Mersini.
Pjesë e programit zyrtar ishin edhe homazhet pranë varrit të Ismail Bej Vlorës, udhëheqësit të aktit historik të 28 nëntorit 1912. Përfaqësues të institucioneve shtetërore nderuan figurën e tij, duke vlerësuar rolin kyç në krijimin e shtetit shqiptar dhe në konsolidimin e identitetit kombëtar.
Manifestimet e Ditës së Flamurit në Vlorë do të vijojnë gjatë gjithë ditës, duke përfshirë aktivitete kulturore, pritje zyrtare dhe homazhe në vendet historike që lidhen me Pavarësinë. Qyteti bregdetar, simbol i lirisë dhe i shtetformimit shqiptar, përherë mbetet epiqendra e festimeve mbarëkombëtare të 28 Nëntorit, duke rikthyer në vëmendje sakrificën dhe vizionin e atyre që vendosën themelet e Shqipërisë së pavarur. (A2 Televizion)