Amerika uron ditën e Pavarësisë, sekretari Rubio: Shqipëria të luftojë kartelet e drogës

Nga Xhevahir Qardaku
28 Nëntor 2025, 09:52 | Aktualitet

Amerika uron ditën e Pavarësisë, sekretari Rubio: Shqipëria

Një urim i rëndësishëm ka ardhur nga qeveria e Shteteve të Bashkuara për ditën e pavarësisë së Shqipërisë. Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, përmes një deklarate, konfirmon se Uashingtoni dhe Tirana gëzojnë një partneritet të fortë, ndërsa kërkon që si aleatë të luftojnë edhe më shumë kartelet e drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to.

“Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë të ndërsjellë dhe ne mirëpresim investimet në rritje të Shqipërisë në sigurinë tonë kolektive. Përveç kësaj, partneriteti ynë me zbatimin e ligjit në Shqipëri i bën qytetarët tanë më të sigurt ndërsa përballemi me kërcënimet e paraqitura nga grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to”, tha Marco Rubio, sekretar Shteti i SHBA.

Zyrtari i lartë i administratës së Donald Trump thekson në deklaratë vlerësimin e lartë për bashkëpunimin e ngushtë mes SHBA-së dhe Shqipërisë në adresimin e kërcënimeve kibernetike.

“Përgëzojmë Shqipërinë për hapat e saj të rëndësishëm në sigurinë kibernetike. Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, lidhjet ekonomike dhe miqësinë e qëndrueshme me Shqipërinë”, tha Marco Rubio, sekretar Shteti i SHBA

Mesazhi i sekretarit amerikan të shtetit është ndarë edhe nga Ambasada e SHBA-së në Shqipëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos