Teksa e ka zbatuar me përpikëri për 8 muaj me radhe paraqitjen e përjavshme në prokurori, si detyrim i masës së marrë për “Sterilizimin”, këtë të premte ish-ministri Ilir Beqaj nuk do të mund të mbërrijë në SPAK. Kjo për faktin se ish-ministri i Shëndetësisë ndodhet në qeli.
Ai u prangos mëngjesin e së enjtes, në zbatim të një mase sigurie “arrest në burg”, për llogari të një hetimi të SPAK për kohën kur drejtonte SASPAC, një agjenci në varësi të kryeministrisë, që koordinon fondet e BE në Shqipëri.
Përveç Beqajt, gjykata lëshoi urdhër-arresti edhe për Ermal Kurtulajn, lidhje e ngushtë miqësore e ish-ministrit, koordinator i një projekti të mbikëqyrur nga SASPAC dhe biznesmeni Alfred Nikollaj.
Sipas SPAK, përgjatë viteve 2022-2023, kohë kur Beqaj ishte nën hetim për “Sterilizmin”, si drejtues i Agjencisë SASPAC më bashkëpunim me Kurtulajn dyshohet se ka abuzuar me të paktën 8 procedura tenderuese. Nga hetimi rezulton se në të gjitha këto prokurime fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohej procedura tenderuese, që është kryer vetëm fiktivisht më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese. Në një reagim zyrtar, SPAK tha se të gjithë këta tendera janë urdhëruar për t’u kryer nga Ilir Beqaj dhe dokumentacioni i çdo faze prej tyre është plotësuar dhe nënshkruar pasi ishte zbatuar kontrata.
Hetimi ka zbuluar se për të njëjtin aktivitet, një konferencë 3 ditore në prill 2023, agjencia e Beqajt ka prokuruar një vlerë prej 125 mijë euro, ndërsa Ministria e Turizmit gati 39 milionë lekë të rinj. Nga të dy palët është kontraktuar e njëjta shoqëri. I vetmi shërbim i ofruar nga kjo shoqëri, sipas SPAK, ishte organizimi i darkës, në një vlerë prej 41 milionë lekë të rinj, në një restorant pranë qendrës së Tiranës, që dyshohet të jetë pasuri e ish-ministrit Beqaj. Shërbimet janë kryer nga të pandehurit, në vlera shumë më të ulëta, por duke u paraqitur në letra si të kryera nga shoqëri të tjera, me qëllim jo vetëm përvetësimin e të ardhurave, por edhe fshehjen e lidhjes së Beqajt e Kurtulajt me restorantin.
Po sipas SPAK, Ilir Beqaj, ka kryer deklarim të rremë, duke fshehur interesat pasurorë të tij mbi restorantin në fjalë, në të cilin dyshohet se ka investuar gati 100 mijë euro. Këto interesa i ka ushtruar përmes Ermal Kurtulajt. Pasuri e fshehur e Beqajt dyshohet të jetë edhe një automjet “Volsvagen”, i regjistruar në emër të Kurtualjt, i njëjti me të cilit Beqaj disa herë ka mbërritur në SPAK.
Për llogari të të njëjtin hetim u caktuan masa më të buta sigurie “arrest në shtëpi” dhe “detyrim për paraqitje” për Gazmend Haxhiu, Elton Marini, Bledar Leka dhe Bjona Ziajn.
Nga kontrollet e ushtriuara në disa banesa dhe zyra të shoqërisë tregtare u sekuestruan dokumente e blloqe me shënime, 47 mijë euro, 700 mijë lekë, si edhe aparate telefoni në interes për hetimin. (A2 Televizion)