“Në këtë qeverisje faji ka emër e fytyrë dhe jo përgjithësime”. Kështu u shpreh nga foltorja e Kuvendit ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu në interpelancën e kërkuar nga opozita pas skandalit të Onkologjikut. Në fjalën e saj, Koçiu tha se kushdo që kushdo që provohet fajtor, nuk ka punë me këtë qeveri. Sipas saj ky standard vlen edhe për mjekët nënë akuzë të cilët duhet të përgjigjen për çdo veprim të kryer.
“Jemi pozicionuar qartazi qoftë politikisht, por edhe përmes akteve të ndërmarra. Qasja jonë është deviza ; punë dhe nder. Në këtë qeverisje faji ka emër e fytyrë dhe jo përgjithësime. Ne kemi vendosur një standard; që kushdo që provohet fajtor, nuk ka punë me këtë qeveri e këtë familje politike. Ky standard vlen edhe për mjekët e vendosur nën akuzë secili prej tyre duhet të përgjigjet për çdo veprim të kryer. Në vlerësimin tim e të qeverisë përbën faj të patolerueshëm në nivelet e një krimi që hyn në veprat kriminale”.
Ajo tha se ngjarja e Onkologjikut po politizohet, ndërsa i bëri thirrje organeve të drejtësisë të zbardhin ngjarjen me zero tolerancë dhe të nxjerrin para përgjegjësisë çdo njeri që ka abuzuar.
“Në lidhje me zullumin që doli në dritë në onkologjik, Ministria e Shëndetësisë reagoi menjëherë dhe bëri thirrje publike për të zbardhur ngjarjen. Inkurajoj drejtësinë të hetojë me zero tolerancë dhe të nxjerrin para përgjegjësisë ligjore çdo individ që ka abuzuar me misionin e shenjtë të mjekut. Do të jem në mbrojtje të çdo anëtari të spitalit që misionin e ka të shenjtë dhe bluzën e bardhë e ka të panjollosur. Tentativa për të politizuar ngjarjen është akt i shëmtuar, por do të rezultojë edhe i dështuar”.
Gjithashtu ajo përmendi edhe ndryshimet në ligjin për urdhrin e mjekut në Shqipëri.
“Prandaj kemi vendosur se hapja apo puna në një klinikë private për mjekët e sektorit publik do të vazhdojë deri në momentin kur spitali përkatës do të përfundojë procesin e autonomisë dhe me marrjen e autonomisë kjo do të jetë rreptësisht e ndaluar. Mjekët e punësuar në sektorin publik që kanë hapur apo punojnë në klinika private, si edhe ata që do të duan ta bëjnë këtë më tutje, duhet të marrin një autorizim/leje nga titullari i spitalit ku janë të punësuar”, tha ajo.
Gjithashtu, ministrja theksoi se do të ndalohet ligjërisht që një mjek të ndjekë të njëjtët pacientë në klinikën private që ka hapur vetë apo që punon aty.
“Kjo është një praktikë e toleruar përgjatë gjithë këtyre viteve pas ndryshimit të sistemit dhe e zgjatur nga fakti se vetëm kjo shumicë qeverisëse vendosi të ndërmarrë reformën rrënjësore të autonomisë spitalore, e cila dihet botërisht se kërkon disa vite edhe në kushte shumë më normale se sa kushtet skandaloze të shëndetësisë e të spitaleve deri përpara 10 vjetësh”, u shpreh Koçiu.
Ajo pohoi se së shpejti QSUT dhe 12 spitale te tjera do të marrin autonominë e plotë pas plotësimit të kushteve të mbetura.
“Kemi propozuar që mjekët të cilët kanë hapur dhe/ose punojnë në klinika private nuk do të mund të mbajnë asnjë funksion drejtues të asnjë niveli në spitalet publike apo në Universitetin e Mjekësisë. Një drejtues në këto struktura duhet t’i dedikohet plotësisht administrimit dhe aktivitetit në strukturën ku i është dhënë një përgjegjësi drejtimi”.
Ajo nënvizoi se historia e transferimit të pacientëve në klinikën private nga drejtuesit e shërbimeve publike do të mbarojë menjëherë sapo të miratohet ky ndryshim ligjor.
(A2 Televizion)