A rrezikohet Shqipëria nga super-raketat iraniane? Flet ish-këshilltari i Bill Clinton dhe Barack Obamës

Nga A2 CNN
2 Mars 2026, 23:46 | Aktualitet

A rrezikohet Shqipëria nga super-raketat iraniane? Flet

Charles Kupchan, ish-këshilltar për politikën e jashtme në administratat e presidentëve Bill Clinton dhe Barack Obama, i ftuar ekskluziv në “Off The Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, komentoi rrezikun e mundshëm që mund t’i kanoset Shqipërisë nga Irani, duke pasur parasysh faktin se prej vitesh vendi ynë strehon një pjesë të opozitës iraniane.

Kupchan theksoi se në klimën aktuale të tensioneve, vigjilenca duhet të jetë e përgjithshme për vendet europiane, jo vetëm për Shqipërinë.

“Në fakt, mendoj që të gjitha vendet europiane duhet të jenë të kujdesshme. Ato po qëndrojnë në mbrojtje dhe, në një farë niveli, po shprehin mbështetje për operacionin, me shpresën që të arrihet një rezultat i mirë. Ky nuk është një regjim që ka shumë simpatizues në botë. Shumë qeveri dhe shumë popuj e kuptojnë që ky është një regjim revizionist, i cili ka shkaktuar paqëndrueshmëri në Lindjen e Mesme dhe më gjerë për një kohë shumë të gjatë”, deklaroi ai.

Sipas Kupchan, nëse do të ndodhte një ndryshim regjimi në Teheran, kjo do të kishte ndikim pozitiv në sigurinë rajonale dhe globale.

“Jam i sigurt kur them që bota do të ishte më e mirë dhe më e sigurt, veçanërisht Lindja e Mesme, nëse do të kishte një ndryshim regjimi në Teheran”, u shpreh ai.

Duke iu referuar konkretisht Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s që ka marrë një rol të veçantë në raport me opozitën iraniane, Kupchan sugjeroi një qasje të kujdesshme dhe të koordinuar me aleatët.

“Do të ishte një ide e mirë për Shqipërinë dhe për vendet e tjera që janë pjesë e Aleancës Veriatlantike që të qëndrojnë në një pozicion mbështetës, të jenë të koordinuara me aleatët dhe të ofrojnë atë që munden për të udhëhequr këtë konflikt drejt një rezultati pozitiv”, shtoi ai.

Deklaratat e Kupchan vijnë në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme kanë ngritur pikëpyetje edhe për sigurinë e vendeve të vogla, por strategjikisht të pozicionuara si Shqipëria, sidomos për shkak të rolit të saj në strehimin e opozitës iraniane dhe përfshirjes në arkitekturën euroatlantike të sigurisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos