Sulmi ndaj Iranit, Paskal Milo: Shqipëria duhet ta shohë të vërtetën në sy, Trump kërkon të vendosë hegjemoninë amerikane në botë

Nga A2 CNN
2 Mars 2026, 21:04 | Aktualitet

Paskal Milo, ish-ministër i Jashtëm, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se argumentet që prezanton SHBA dhe Izraeli për ndërhyrjen në Iran nuk e bindin aspak dhe shtoi se Shqipëria, si aleat i Amerikës, “duhet ta shohë të vërtetën në sy”.

“Nëqoftëse duam të jemi të sinqertë, të hapur, kjo që po them nuk është se është një mendim personal, por flas edhe për një mendim të specializuar të qendrave më të njohura ndërkombëtare të studimit të politikës dhe të konflikteve. Ne duhet t'i shikojmë gjërat me shumë realizëm dhe të mos fshihemi prapa fakteve. Ne shqiptarët, që jemi aleatët më besnikë dhe më proamerikanë, duhet të bëjmë dhe analiza objektive dhe t'i shohim të vërtetat në sy. Kini parasysh që kur erdhi në krye të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump kritikoi madje paraardhësit e tij që kishin shpërthyer luftrat, tha se “po të isha unë, nuk do ta inkurajoja luftën Rusi-Ukrainë”. Dua të qëndroj te teza e tij që e artikuloi gjatë gjithë fushatës elektorale: “Amerika e para”. Do të thotë që Amerika duhet të jetë dhe duhet të qëndrojë si fuqi e parë në arenën ndërkombëtare, në politikën ndërkombëtare, që e përkthyer me terma më të thjeshta do të thotë që Donald Trump kërkon të vendosë hegjemoninë amerikane në botë si fuqi e madhe”, tha Milo.

“Jo rastësisht ai flet që “kemi ushtrinë më të madhe në botë, më të fortë” dhe kur përmend ushtrinë dhe forcën, domethënë se në plan të parë ke nxjerrë përdorimin e forces. Trump do që Amerika të jetë vendi i parë, vendi më i fortë ku çdo gjë të vendoset dhe t'i merret leje Amerikës. Edhe ndërtimi i Bordit të Paqes kërkon pikërisht këtë rol parësor të Amerikës, ku ajo të thotë fjalën e fundit për çdo gjë, zgjidhje konflikti apo marrëveshje ndërkombëtare”, shtoi ish-ministri i Jashtëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos