Afera e sterilizimit, GJKKO “i tërheq veshin” SPAK: Ilir Beqaj duhej futur në burg

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2023, 13:09 | Aktualitet

Roli i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj në koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit të pajisjeve mjekësore ka përplasur Gjykatën e Posaçme me Prokurorinë e Posaçme.

Një javë pasi caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të ndaljes nga shteti” për Beqajn, i cili po hetohet për “shpërdorim detyre”, GJKKO ka zbardhur vendimmarrjen dhe gjyqtari i çështjes Erjon Bani konstaton se SPAK duhet të kishte ngritur akuza të reja për ish-ministrin.

Bani përveçse lë të pandryshuar dy masat e sigurisë ndaj Beqajt, në arsyetimin e vendimit saktëson se referuar provave të paraqitura nga organi i akuzës, ka dyshim të arsyeshëm që Ilir Beqaj në cilësinë e ish-ministrit të Shëndetësisë dhe ish-drejtuesit të autoritetit kontraktor që lidhi kontratën e koncesionit të sterilizimit ka kryer veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”.

Në respektim të parimit të ligjshmërisë dhe cilësimit të drejtë të faktit penale të sjellë nga prokuroria për vlerësim përpara gjyqtarit të hetimit paraprak ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se personi nën hetim Ilir Beqaj krahas figurës së veprës penale “Shpërdorim i detyrës” i kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal, ka konsumuar edhe elementët e figurës së veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve” nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, parashikuar nga neni 109 paragrafi i tretë i Kodit Penal. Kjo bën që “rëndësia e faktit” dhe “sanksionit që mund të caktohet”, parashikuar nga neni 249 i K.Pr.Penlae për personin nën hetim I.B. të jetë më e madhe nga ajo e vlerësuar nga prokuroria”, thuhet në vendimin e GJKKO.

Më tej, nënvizohet se Beqaj ka pasur dijeni edhe se në formularin e publikimit të njoftimit të kontratës për koncesionin e sterilizimit të datës 10 dhjetor 2015, Beqaj ka pasur dijeni se në formular ka pasur të dhëna të rreme sa i përket formës së procedurës së ndjekur.

Po sipas gjyqtarit Bani rezulton se nga këqyrja e telefonave celularë të personave që u morën më herët nën hetim rezulton se ish-ministri ka qenë në dijeni të të gjitha procedurave dhe dokumentacionit që ka administruar komisioni për dhënien e koncesionit.

Nisur nga këto konstatime, GJKKO vlerëson të arsyeshme se masa e sigurisë për ish-ministrin Beqaj do të ishte “arresti me burg”.

Gjykata vlerëson se për personin nën I.B. masa më e përshtatshme që arrin të sigurojë nevojat e procedimit penal të nisur, për të garantuar mospërsëritjen e së njëjtës vepër penale, largimin e tij, marrjen dhe vërtetësinë e provave si dhe për të garantuar ekzekutimin e dënimit me burgim që mund të caktojë gjykata e themelit në rastin konkret, për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprave dhe autorit në rastin konkret, është ajo e “Arrestit në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale. Ka vend për të dyshuar racionalisht se, personi nën hetim I.B. ka nevojë të sigurohet, për t’i caktuar një masë sigurimi personal, për të garantuar vijimësisht prezencën e të dyshuarit në procedimin penal në ngarkim të tij, si për të siguruar normalitetin e hetimit dhe të gjykimit në çështjen në ngarkim të tij, dhe për të siguruar që ai të mos largohet, të fshihet por t’i nënshtrohet ekzekutimit (vuajtjes) së dënimit kur vendimi i dënimit të ketë marrë formë të prerë.(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos