Alarmi i gjeologut: Kodra e Currilave do të respektojë natyrën, jo përfitimin

Nga Gazmend Janku dhe Elitjona Doko
19 Shkurt 2026, 19:40 | Aktualitet

Rrëshqitjet në zonën kodrinore të Currilave në Durrës kohët e fundit po shkaktojnë shumë problematika me ndikim në mjedis dhe aktivitetin e zonës duke bllokuar disa herë edhe aksin rrugor atje pranë. Për gjeologun profesor asistent doktor Adem Hyseni, këto problematika po rrjedhin ashtu siç do natyra pasi sipas tij, edhe ndërhyrja për ndërtimin e rrugës është konceptuar gabim.

“Problemet vazhdojnë të rrjedhin si do natyra. Përkeqësohet gjendja kur këto qytete zhvillohen pa plane urbanistike. Nuk tërhiqet mendimi i specialistëve. Kjo rrugë po të kishte lënë dy shkarkesa tërë kjo faqe mali që gërryhet mund të drejtohej që kjo rrymë balte të derdhej në det”.

Por çfarë do të thotë në gjuhë më të thjeshtë faktori natyre mbi këtë faqe të kësaj kodre.

“Nxehtësia e verës i fryn, vjen pastaj lagështia e dimrit i shpëlan dhe tërë kjo sipërfaqe, sikur 1 cm në vit të gërryejnë agjentët atmosferikë e detarë, i bie që të prodhojë 100-150 metër kub material”.

E ndërsa kjo kodër po dëmton rrugën poshtë, lart në majën e saj ndërtimet nuk ndalen dhe për gjeologun kjo është papërgjegjshmëri.

Sa më shumë që injorohen konstatimet e profesionistëve, aq më shumë rritet rreziku dhe dëmet që natyra mund ti bëjë ndërhyrjes së gabuar të njerëzve, që orientohen vetëm nga  përfitimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos