
Policia e Shtetit kërkon të përmirësojë sigurinë e informacionit sekret dhe për këtë arsyer ka vënë në dispozicion një fond prej rreth 1 milion euro me TVSH për shërbimin e rrjetit “Datacom”, një nga infrastrukturat kryesore të komunikimit të brendshëm dhe transmetimit të të dhënave të strukturave policor dhe një nga elementët kyç të funksionimit digjital të institucionit.
“Datacom” është infrastruktura e komunikimit të Policisë së Shtetit që lidh drejtoritë, komisariatet dhe sistemet operative në një platformë të sigurt për shkëmbimin në kohë reale të informacionit. “Datacom” mundëson aksesin në databaza policore, funksionimin e sistemeve të kontrollit kufitar dhe koordinimin e operacioneve.
Procedura e prokurimit është shpallur si tender me klasifikim “Sekret” dhe sipas dokumentacionit, do të zhvillohet në një formë ndryshe nga procedurat klasike të prokurimit publik.
Në fazën e parë, që lidhet me para-kualifikimin, autoriteti kontraktor do të përzgjedhë kandidatët që plotësojnë kriteret teknike dhe profesionale përpara dërgimit të ftesës për ofertë. Ky proces nuk lidhet me vlerësimin e çmimit, por fokusohet te përvoja dhe aftësia e operatorëve. Pas përfundimit të para-kualifikimit, faza e dytë parashikon dërgimin e ftesës për ofertë për kandidatët e përzgjedhur, të cilët do të paraqesin ofertat sipas specifikimeve teknike dhe kritereve të përcaktuara në dokumentet e tenderit.
Një nga kriteret kryesore është pajisja e operatorëve me Certifikatë të Sigurimit Industrial (CSI) në nivel jo më të ulët se “Sekret”, e vlefshme në momentin e prokurimit. (A2 Televizion)