Teufik bin Feuzan bin Rebiah, ministri i Haxhit dhe Umres së Arabisë Saudite, i cili gjatë vizitës në vendin tonë është takuar me disa zyrtarë në Shqipëri për të rritur bashkëpunimin me Shqipërinë në disa fusha, ka dhënë një intevistë ekskluzive për “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN.
Andrea Danglli, “Off the Record”: Cilat kanë qenë disa nga objektivat për të cilat keni ardhur në Tiranë?
Teufik bin Feuzan bin Rebiah: Ndjehem shumë i lumtur që vizitoj Shqipërinë dhe jam i lumtur për vizionin e zhvillimit dhe të ndryshimit cilësor në Shqipëri dhe në qytetin e Tiranës. Gjithashtu jam shumë i lumtur për zhvillimin e marrëdhënieve të veçanta midis Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Shqipërisë, po ashtu edhe për rritjen e numrit të vizitorëve nga Shqipëria në Arabinë Saudite, dhe një rritje të vizitorëve nga Arabia Saudite në Shqipëri.
Andrea Danglli, “Off the Record”: Për myslimanët shqiptarë pelegrinazhi në Mekë është mjaft i rëndësishëm. Çfarë ka bërë Arabia Saudite për ta lehtësuar procesin e dokumentacionit për marrjen e vizës?
Teufik bin Feuzan bin Rebiah: Në të kaluarën, vizat nga Shqipëria për në Arabinë Saudite kërkonin procedura më të gjata dhe disa ditore, gjithashtu qytetarit i duhej të aplikonte shumë kohë përpara se të mbërrinte në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Tashmë, çdokush mund të aplikojë në mënyrë elektronike dhe viza lëshohet brenda pak minutash. Ose, mund të aplikojë për vizë një vizë në momentin e mbërritjes, opsion i cili është gjithashtu i disponueshëm. Për rrjedhojë kemi vënë re një rritje të numrit të vizitorëve nga Arabia Saudite në Shqipëri dhe anasjelltas.
Gjithashtu për sa i përket vizitës së shtetasve shqiptarë në Mbretërinë e Arabisë Saudite, veçanërisht në Mekë dhe Medinë, ne tregojmë kujdes që vizita të jetë një eksperiencë e veçantë. Aktualisht janë një sërë vendesh historike, turistike dhe muzeume të cilat janë zhvilluar dhe restauruar dhe që janë vënë në dispozicion të vizitorëve nga Shqipëria, qoftë në Mekë apo Medine.
Andrea Danglli, “Off the Record”: Vizioni 2030 i Arabisë Saudite duket mjaft i rëndësishëm për mbretërinë. Si ka ndikuar ky program ambicioz reformash në përmirësimin e përvojës shpirtërore për pelegrinët e Haxhit dhe Umresë?
Teufik bin Feuzan bin Rebiah: Vizioni i Mbretërisë e Arabisë Saudite 2030 filloi në vitin 2016 dhe qëllimi i tij është të sjellë një ndryshim cilësor në Mbretërinë e Arabisë Saudite në të gjitha fushat, dhe ndër këto fusha është edhe ofrimi i shërbimit për vizitorët në vendet e shenjta.
Ne vazhdimisht tregojmë kujdes për të lehtësuar mbërritjen e vizitorëve në Mbretërinë e Arabisë Sadite si dhe për pasurimin e eksperiencës së tyre me anë të kësaj vizite. Numri i pelegrinëve në vitin 2017 ishte afërsisht 6.5 milionë, ndërkohë në vitin 2023 arriti 13.5 milionë pelegrinë.
Si rezultat i këtij vizioni, numri i vizitorëvë është dyfishuar dhe ndërkohë në të ardhmen pritet të rritet dhe numri i personave që kryejnë ritualin e "Umras". Ne dëshirojmë të lehtësojmë ardhjen në Meka dhe Medina të çdo besimtari kudo në botë, sikurse synojmë që ardhja e tyre në këto vende të jetë jo vetëm e lehtë, por edhe e këndshme njëkohësisht.
Prandaj dhe ne ndjekim të gjitha procedurat e nevojshme duke nga momenti kur qytetari mendon të shkojnë Mekë ose për të vizituar Mbretërinë e Arabisë Saudite. Theksojmë së procedurat e vizës tashmë janë bërë shumë më të lehta, gjithashtu dhe linjat e fluturimit janë shtuar dhe ne synojmë t'i rrisim dhe t'i zgjerojmë ato sa më shumë, dhe sigurisht kjo është një nga çështjet për të cilat ne synojmë diskutojmë me Shqipërinë. Gjithashtu ne ndjekim procedurat e mbërritjes së vizitorit duke marrë parasysh një sërë elementësh të tilla si; mbërritja, transporti, akomodimi, vizita e vendeve historike, kthimi në vendlindje etj, të gjitha këto me qëllim që vizitori të përjetojë një eksperiencë të bukur dhe të paharrueshme, saqë ne shpesh përdorim shprehjen:"Nga një ide deri në një kujtim".
Andrea Danglli, “Off the Record”: Vendi juaj është i njohur si kampion i përqasjes së turizmit fetar me aspektet e reja teknologjike, si po e revolucionarizojnë këto aspekte vendin tuaj?
Teufik bin Feuzan bin Rebiah: Sigurisht, e para është zgjerimi gjigand i dy vendeve të shenjta. Aktualisht vazhdon zgjerimi në Qabe, i cili konsiderohet më i madhi në histori dhe ndodhet në fazat e fundit. Ky zgjerim do të rrisë kapacitetin e numrit të pelegrinëve të cilët vizitojnë qytetin e Mekas dhe Qaben.
Aktualisht, Xhamia e Mekës është ndërtesa më e madhe e ndërtuar ndonjëherë në histori dhe në botë, dhe ky zgjerim sigurisht që do të na çojë në një hap tjetër përpara dhe do të lehtësojë vizitat e pelegrinëve dhe kryerjen e ritualeve të faljes dhe të umra-s (vizita e Qabes).
Ne gjithashtu jemi përpjekur të lidhnim Mekën dhe Medinën nëpërmjet trenit me shpejtësi të lartë. Tashmë, Meka dhe Medina lidhen me njëra-tjetrën me tren ekspres i udhëton me një shpejtësi prej 300 km/orë, duke e shkurtuar distancën midis këtyre dy qyteteve në afro 2 orë.
Kjo e ka lehtësuar shumë herë lëvizjen midis Mekës dhe Medinës, krahasur më parë. Gjithashtu, ne kemi bërë zgjerimin e aeroporteve. Zgjerimi i aeroportit të Xhedas (Jeddah) ka kushtuar rreth 41 miliardë rialë (monedha saudite) dhe tani aeroporti është hapur për një numër të madh vizitorësh.
Gjithashtu, aeroporti i Medinës është zgjeruar për një numër të madh njerëzish. Të dy aeroportet tashmë pritet të kenë fluturime ndërkombëtare, kështu që mbërritja është bërë më e lehtë dhe numri i fluturimeve është rritur ndjeshëm. Ka shumë projekte për zhvillimin e vendeve historike që përmenda më herët, si dhe zonave arkeologjike, njëkohësisht dhe zgjerimi i infrastrukturës për të pritur një numër sa më të madh të mundshëm vizitorësh.
Andrea Danglli, “Off the Record”: Shqipëria ka pasur një rritje të konsiderueshme të pelegrinëve në Umre dhe në Haxh, tani që numri i tyre kalon 5 mijë çdo vit, a ka ndonjë ndryshim, përqasje të re, për ta përballuar edhe më mirë këtë turizëm fetar që kryesisht është nga Shqipëria?
Teufik bin Feuzan bin Rebiah: Së pari jam i lumtur, dhe mirëpresim ardhjen vizitorëve nga Shqipëria, qoftë për vizitën e vendeve të shenjta, apo të Mbretërisë së Arabisë Saudite.
Mbretëria e Arabisë Saudite dhe Shqipëria kanë marrëdhënie shumë të ngushta dhe ka një bashkëpunim të madh në shumë fusha, dhe shpresojmë që ky bashkëpunim do të vazhdojë. Rritja e numrit të vizitorëve nga Shqipëria, natyrisht, është për shumë arsye, njëra prej të cilave është lehtësia e mbërritjes, procedurat e nxjerrjes së vizës të cilat tashmë janë më të lehta, fluturimet direkte sezonale ndërmjet Shqipërisë dhe Arabisë Saudite të cilat synojmë t'i rrisim dhe zgjerojmë.
Gjithashtu, përvoja tani është më e mirë, dhe procedurat e vizave janë më të lehta krahasuar më parë dhe ne po përpiqemi që t'i lehtësojmë këto procedura sa më shumë të jetë e mundur. Ne i'u themi të gjithë vizitorëve nga Shqipëria se jeni të mirëpritur, qofshin këta qytetarë të besimit mysliman për vizituar Mekën dhe Medinën, apo dhe të besimeve të tjera për të vizituar vendet e tjera kudo në Mbretërinë e Arabisë Saudite.
Andrea Danglli, “Off the Record”: Si ka arritur Arabia Saudite që të balancojë përparimin teknologjik me ruajtjen autentike të ritualeve shqiptërore?
Teufik bin Feuzan bin Rebiah: Së pari, Mbretëria e Arabisë Saudite po përjeton një zhvillim të madh në shërbimet elektronike, dhe së fundmi është vlerësuar si vendi i gjashtë më i mirë në botë për shërbimet elektronike, dhe vendi i katërt në botë për shërbimet elektronike qeveritare (e-qeveria), dhe sigurisht shërbimet elektronike për pelegrinët (vizitorët e vendeve të shenjta) është një prioritet madhor që vendi ynë i kushton.
Ne kemi lançuar aplikacionin "Nusuk", i cili është porta kryesore për të ofruar shërbime elektronike për pelegrinët dhe vizitorët e vendeve të shenjta. Nëpërmjet këtij aplikacioni, çdo qytetar mund të rezervojë biletë udhëtimi dhe hotele, mundet të nxjerrë viza etj. Aplikacioni gjithashtu ndihmon në njohjen vendeve të Mekës dhe Medinës, si dhe rezervimin për Umren (vizita e Qabes) dhe Raudën (Xhamia dhe Varri i Profetit), në mënyrë që eksperienca të jetë sa më unike.
Gjithashtu, vizita në vendet historike dhe kulturore, të cilat janë të gjitha të disponueshme në aplikacion, e ndihmon qytetarin t'i vizitojë dhe t'i njohë ato. Ne jemi shumë të etur që përvoja digjitale e vizitorit të jetë unike dhe ne kemi ende shumë zhvillim në këtë fushë.
Andrea Danglli, “Off the Record”: Si po e ndryshon kjo vizionin për vizitën në dy xhamitë e shenjta?
Teufik bin Feuzan bin Rebiah: Programi i "Mysafirëve të Zotit" është pjesë e programit të vizionit 2030. Qëllimi kryesor i këtij programi është lehtësimi i vizitës në Mekë dhe Medine, vizitës në Vendet e Shenjta (Qabe) dhe Medine si dhe kryerjes së ritualtit të Umra-s (vizita e Qabes), e kështu me radhë.
Gjithashtu, ky program synon që ta bëjë vizitën në këto vende sa më të bukur dhe të paharrueshme. Prandaj ne gjithmonë përsërisim shprehjen "nga një ide në një kujtim", çfarë nënkupton se vizitorit të cilit i lind ideja për të vizituar Mekën, Medinën, apo për të kryer ritualin e Umras dhe Haxhit, do të përjetojë një eksperiencë sa më bukur dhe që të mbetet në kujtimin e tij pëgjithmonë. Pra, ne synojmë që gjitha proçedurat, nga ideja e vizitorit për të vizituar këto vende dhe deri sa të kthehet në vendin e tij, të jenë sa më të lehta, ç'ka e bën vizitorin të përjetojë eksperiencë të veçantë, përsa i përket proçedurave të udhëtimit, vizave, udhëtimeve, fluturimeve direkte, mbërritjes, pritjes, transportit në Mekë, kryerjes së ritualit të Umres (vizita e Qabes), vizitave në vendet histore si mali; Uhud, mali Thaër, Al-Hirat Al-Thakafi, ose mali Rahma, ose vende të tjera të veçanta historike në Mekë.
Gjithashtu, udhëtimi në Medine, qoftë me tren ekspres, me autobus, apo me avion të jetë sa më i komod dhe i rehatshëm. Gjithashtu, në Medine, vizitorët mund të vizitojnë xhaminë dhe varrin e Profetit. Gjithashtu, vizitorët mund të vizitojnë vendet historike në Medine si; Xhamia Kibaa, ose Sayed Al-Shuhada afër malit Uhud, si dhe të gjitha vendet e shumta historike në Medine.
Të gjitha këto do të lënë një përshtypje të bukur, dhe të veçanta për të gjithë ata që duan të vijnë në Mekë dhe Medinë. Të gjitha këto do ta bëjnë më të lehtë vizitën e njerëzve dhe të besimtarëve muslimanë në këto vende të cilët do të përjetojnë njëkohësisht eksperiencë shpirtërore të paharrueshme nga vizita e këtyre vendeve.
Andrea Danglli, “Off the Record”: Raportet mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite. Vitet e fundit ka pasur një rritje të marrëdhënieve, kemi parë vizita të ndërsjellta dhe si duket, jemi në një fazë të re dhe mjaft shpresëdhënëse për raportet mes dy vendeve. Cfarë duhet të presin tjetër shqiptarët?
Teufik bin Feuzan bin Rebiah: Me lejoni dhe njëherë të ritheksoj dhe të nënvizoj se të gjithë qytetarët shqiptarë janë mëse të mirëpritur për të vizituar Mbretërinë e Arabisë Saudite.
Lidershipi i Mbretërisë së Arabisë Saudite, Shërbëtori i Dy Vendeve të Shenjta (Meka dhe Medina) Lartësia e Tij Princi i Kurorës, mirëpresin myslimanët nga e gjithë bota dhe i kushtojnë rëndësi të veçantë ofrimit të shërbimeve për ta me qëllim që ata të përjetojnë një eksperiencë sa më të paharrueshme.
Falenderojmë lidershipin e Shqipërisë për mikpritjen e tyre, dhe jam shumë që lumtur që vizitoj Shqipërinë. Jam i sigurt se kjo vizitë do të ketë impakt pozitiv në lehtësimin e ardhjes së qytetarëve shqiptarë në përgjithësi dhe besimtarëve myslimanëve në Mekë dhe Medinë. (A2 Televizion)