Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka përshëndetur fitoren e Kombëtares kundër Serbisë, në ndeshjen e luajtur ditën e sotme në stadiumin e Leskovacit.
Në një lidhje live për ‘Ditari’ me gazetarin Andi Nuraj në A2 CNN, Duka tha se ndeshja e sotme ishte një sfidë me ngarkesa të mëdha psikologjike.
Ai shtoi gjithashtu se kualifikimi në Botëror nuk është i pamundur, teksa theksoi se futbollistët duhet të përgatiten për ndeshjet e radhës.
“Ju uroj të gjithëve për fitoren, ishte një fitore e mirë, me goxha ngarkesa psikologjike dhe për arsye të këtyre ngarkesave ndoshta edhe e teproj pak me modestinë. Çunat kanë të drejtë të festojnë dhe kanë të drejtën e tyre. Mund të festojnë edhe sot, edhe nesër, pastaj duhet të përgatiten për ndeshjen miqësore dhe akomë më shumë duhet të përgatiten për ndeshjen me Andorrën, që është një ndeshje shumë e vështirë.
Sa më lart të shkosh, aq më e vështirë bëhet. Kështu që tani fillon një rrugë e vështirë për ata që të luftojnë për objektivin e tyre, për të gëzuar veten e tyre, për të marrë frutet e punës së tyre dhe për të gëzuar gjithë shqiptarët. Do jetë një objektiv i vështirë, një malore e madhe, por gjithmonë asgjë nuk është e pamundur”, tha mes të tjerash Duka. (A2 Televizion)