Atraksion i ri turistik, hapet pas 32 vjetësh porta e tunelit të fortifikuar në Porto Palermo

Nga Anesti Barjamemaj
11 Gusht 2024, 08:23 | Aktualitet

Të gjithë turistët vendas e të huaj, që zgjedhin të vizitojnë jugun e Shqipërisë do të kenë një atraksion turistik më shumë për të vizituar. Porta e tunelit të fortifikuar në gjirin e Porto Palermos është hapur për herë të parë pas 32 vitesh, duke nxjerr në dritë një pjesë të së kaluarës.

Sipas ministrisë së Mbrojtjes, ky është hapi i parë i një projekti për rijetëzimin dhe rehabilitimin e të gjithë kompleksit infrastrukturor në Gjirin e Panormës për funksione ushtarake dhe civile.

“Projekti synon mirëadministrimin e zonës, e cila ka nisur të jetë një destinacion turistik i privilegjuar, duke respektuar normat mjedisore dhe duke ofruar kushte sa më të larta sigurie lundrimore.  Hapi tjetër do të jetë përshtatja jo invazive e objekteve të kompleksit që nuk gëzojnë më funksione ushtarake, me qëllim krijimin e një atraksioni turistik të qëndrueshëm. Projekti synon gjithashtu të rikthejë në gatishmëri teknike këtoa sete të çmuara të Forcës sonë detare, të cilat mund të shërbejnë për qëllime stërvitjesh kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama njofton se përveç hapjes së tunelit në Porto Palermo shumë shpejt do të nisë puna dhe për krijimin e muzeut të Luftës së Ftohtë.

“Me hapjen e tunelit nënujor të Porto Palermos, nis projekti i Ministrisë së Mbrojtjes për ta kthyer Gjirin magjepsës të Panormës në një destinacion të turizmit historik, ku do të ndërthuret natyra e paprekur e gjirit, vendosur nën mbrojtje nga qeveria shqiptare, me rijetëzimin e godinave të vjetra ushtarake, krijimin e muzeut të Luftës së Ftohtë, si edhe jetëzimin e kalasë së famshme të Ali Pashës.”

Tuneli gjatë kohës së diktaturës ka shërbyer si një bazë autonome për strehimin dhe kalimin e sigurt të mjeteve detare të marinës ushtarake të kohës, brenda gadishullit të Porto Palermos. Ndërtimi i këtij tuneli nisi në 1969 dhe zgjati deri në vitin 1988. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos