Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, prezantoi paraditen e së mërkurës drejtorin e ri të DPSHTRR.
“Sot kërkohet gjithmonë e më shumë që shërbimet të kenë cilësi akoma më të mirë, që kuadri jonë ligjor, Kodi Rrugor, ka pësuar disa herë ndryshime, të cilat kanë për synim përafrimin me kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian. Shqipëria synon që me përfundimin e autostradave, që po ndërtohen të jetë pjesë e korridoreve Europiane. Shqipëria tashmë është një nga hub-et turistike më të zhvilluara dhe ju e dini më mirë se unë që numri i automjeteve gjatë verës, automjeteve të cilat merren me qera, apo edhe automjeteve që futen nga pikat kufitare është krahasimisht me vitin 2019 disafish i rritur. Të gjitha këto kërkojnë akoma më shumë angazhim dhe pavarësisht gjithë punës të mirë që është bërë në DPSHTRR, ne duhet të angazhohemi akoma më shumë, të injektojmë teknologji të re, të injektojmë inovacion dhe mbi të gjitha të kemi shërbime transparente dhe të shpejta. Për këtë arsye, DPSHTRR-në do ta drejtojë sipas vendimit të bordit, duke nisur nga sot Kreshnik Bajraktari. Kreshniku ka vite që punon me transportin rrugor. Është inxhinier mekanik, do keni në krye një profesionist i cili ka investuar edhe në edukimin e tij. Një person i cili prej kohësh ka kontribuar në transportin publik në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe në Bashkinë e Tiranës dhe më shumë se një vit ka drejtuar portin e Durrësit, duke u futur edhe në një fushë tjetër të transportit, atë të transportit detar”, tha Balluku, shkruan A2.
“Kreshniku është një bashkëpunëtor i mirë, është një zyrtar i ndërgjegjshëm dhe për çka unë mund t'ju garantoj, duke e parë edhe dje nga impakti i ndarjes me punonjësit e portit të Durrësit, do të jetë një drejtues mbështetës, pasi të gjitha punët e mira bëhen me skuadra të mira, me skuadra të motivuara, me skuadra ku gjithsecili nxjerr pjesën e tij më të mirë profesionale dhe nga ana tjetër mbështet edhe shokët për t'u përmirësuar”, shtoi Balluku.
Fjala e plotë e zv/kryeministres Belinda Balluku:
“Shumë kënaqësi që të jem këtu sot me të gjithë drejtorët rajonalë të DPSHTRR-së dhe drejtorët e zyrave që kemi hapur në të gjithë Shqipërinë dhe për më tepër të jem me Endrin, që ka bërë fazën e tranzicionit nga Ilir Mëngra dhe t'ju prezantoj sot drejtuesin e ri të DPSHTRR-së. Por, para se të kaloj tek prezantimi i drejtuesit të ri, do desha të bëja një përmbledhje të gjithçkaje kemi bërë në vitet e fundit. Për të thënë të drejtën kam marrë një material sot nga bashkëpunëtorët e mi, i cili është një material me shumë shifra dhe shumë fakte që tregojnë më së miri punën e shkëlqyer që është bërë ndër vite dhe e them këtë pasi më kujtohet në fillimet kur Blendi Gonxhe, i cili nuk ishte thjesht një drejtues, por ishte një person i apasionuar me autot, por edhe me Retro-n më vonë dhe një nga drejtorët që i qëndroi punës në kokë për të ndryshuar konceptin e DPSHTRR-së dhe deri më pas tek Ilir Mëngra dhe të gjithë kontributin që keni bërë ju.
Më kujtohet në fillime kur realisht situata ka qenë flagrante. Kur në atë kohë për të bërë një aplikim për leje drejtimi duheshin 3 apo 4 javë për ta marrë lejen e drejtimit dhe mbi të gjitha duhej të kishe njohje, të paktën kështu thonin qytetarët, që nuk mbaroje dot punë në zyrat e shtetit, përsa i përkiste lejes drejtimit, përsa i përkiste çështjeve që kishin të bënin me automjetet. Ndërkohë që gjithçka ndryshoi katërcipërisht, falë punës së palodhur të të gjithëve ju, falë drejtimit të duhur të Blendi Gonxhes dhe mbi të gjitha falë inovacionit. Atë çka solli si risi në shërbimet publike DPSHTRR-ja ishte inovacioni, atëherë kur akoma ne nuk flisnim për inovacion, pasi sot inovacioni është baza e çdo shërbimi publik dhe Qeveria Shqiptare ka bazuar të gjithë proceset e saj mbi inovacionin dhe digjitalizimin, por DPSHTRR-ja qe një dallëndyshe e parë.
Duke nisur nga viti 2019 nisën një sërë ndryshimesh strukturore brenda ndërmarrjes tuaj e cila padyshim solli shërbim më të shpejtë, por mbi të gjitha shërbim cilësor dhe kjo nuk u izolua vetëm në Drejtorinë Qendrore apo në Drejtorinë e Tiranës, por ndodhi në çdo drejtori rajonale. Më pas, me kalimin e kohës, sigurisht ne pamë që kishte edhe diçka më shumë për tu bërë. Ishin arkivat. Arkivat të cilat mbaj mend kam vizituar në vitin 2020, sepse ka qenë koha e pandemisë, kam vizituar arkivën e Fierit dhe mbaj mend tavanin e katit të parë, i cili ishte i harkuar nga pesha e arkivës që ndodhej në kat të dytë dhe rrezikun që paraqiste ajo ndërtesë. Më pas kam vizituar me Blendin zyrat në Laç, ku uji arrinte deri në një metër dhe dosjet e arkivave ishin nën ujë. Kështu që vendosëm të ndërmerrnim një proces të gjatë për ti krijuar DPSHTRR-së dhe asetet e duhura logjistike, aty ku ju të punonit në kushte optimale dhe i gjithë dokumentacioni të ruhej ashtu siç duhej. Kemi bërë një punë shumë të mirë për çregjistrimin e të gjithë atyre automjeteve, të cilat nuk ishin në përdorim për një kohë të gjatë. Kemi bërë një punë të mirë për të hapur zyra dhe jo vetëm drejtori rajonale, pasi na është dashur që të kursenim kohën e drejtuesve të automjeteve, të cilët duhet të lëviznin për shembull nga Burreli për të shkuar në rajonalen e Dibrës, për të marrë shërbime, orë të tëra udhëtimi, konsum nafte dhe gjithçka tjetër.
Ka qenë një reformë e thellë, e bërë me pasion, e bërë me vullnet dhe përpikmëri, që e ka sjellë DPSHTRR-në në nivelin e një nga ndërmarrjeve që kryeministri Rama dhe të gjithë ne të tjerët e marrim si shembull, si duhet të ofrohen shërbimet publike. Më pas, sigurisht u shtua Retro, që në fillim dukej thjesht si një çështje pasioni, por që duke parë mbështetjen e mijëra qytetarëve kudo ku Retro shkonte ishte gjëja e duhur për të bërë. Automjetet nuk janë thjesht shërbime utilitare që secili përdor në mënyrë individuale, por janë edhe memorie, janë edhe kulturë dhe Retro këtë e ka treguar më së miri, duke e kthyer automotivin edhe më shumë sesa thjesht një çështje mekanike.
Unë do të desha që t'i referohesha disa numrave të rëndësishëm, të cilës siç ju thashë mi kanë përgatitur nga kabineti im, por që janë shumë domethënëse. Ne sot përveç drejtorive rajonale kemi edhe 17 zyra të reja shërbimi në të gjithë vendin dhe normalisht kemi dyfishim të mbulimit territorial me zyra shërbimi dhe drejtori rajonale. 424 mijë e 955 shërbime më shumë të ofruara krahasuar me vitin 2018. Ne sot ofrojmë nëntë herë më shumë shërbime, sesa ofronim në vitin 2018 dhe në kohë shumë më të shkurtër. 21 milionë kilometra të kursyera për qytetarët tanë, falë pikërisht zyrave që janë hapur përveç drejtorive rajonale. 1.4 milionë litra karburant të kursyer për qytetarët dhe 260 milionë lekë më pak shpenzime, ndërkohë që kemi dy poligona të cilat unë do t'i konsideroja model. Pra, që është poligoni i Vlorës edhe ai i Fushë-Prezës, që janë qendra trajnimi me kushte optimale të cilat nuk lënë asgjë për të dëshiruar nga qendrat e trajnimit evropiane.
Do t'i referohem pak numrave të vizitorëve, të qytetarëve që vijnë në këto qendra trajnimi. 25 mijë pjesëmarrës mesatarisht çdo vit përgatiten në mënyrë profesionale. 12 mijë qytetarë vetëm në 7 muajt e parë të vitit 2025 kanë vizituar poligonët, ndërkohë që 75 mijë pjesëmarrës për periudhën 2023-2025. Nga ana tjetër, një nga risitë e tjera shumë të rëndësishme, e cila ka të bëjë me sigurinë rrugore, pasi synimi kryesor i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë është siguria rrugore dhe kjo ka të bëjë nga ndërtimi i rrugëve që bëhet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe mirëmbajtja e tyre dhe cilësia e sigurisë së sinjalistikës patjetër, deri tek të gjitha veprimet dhe aksionet që ndërmerr DPSHTRR-ja, që është e lidhur direkt me drejtuesin e automjetit. Kështu ne e kemi nisur një proces rigoroz përsa i përket rikualifikimit të të gjithë atyre drejtuesve të mjeteve, të cilët i humbin të gjitha pikët e patentës së tyre, pra të lejes së drejtimit dhe detyrohen që të rikthehen edhe një herë në fazat e testimit. Numrat flasin vetë, kemi pasur 2359 ri regjistrime, vetëm 13.4% kanë kaluar testin, duke garantuar që të kthehen në rrugë vetëm drejtues të disiplinuar. Pra, e shikoni sesa i vogël është marzhi i rikthimit të patentave, duke i detyruar pra ata që kanë humbur aftësinë drejtuese që ta marrin shumë seriozisht riaftësimin. Ndërkohë që sigurisht kjo bëhet përmes edukimit, standardeve moderne dhe masave shumë të forta disiplinore.
Në ndërkohë që kontrolli teknik ka qenë një tjetër pjesë shumë e rëndësishme e mirëmenaxhimit. Të gjithë e mbajnë mend sesi bëhej kolaudimi. Një kolaudim i dhënë në një koncesion dhjetëvjeçar që çdo vit që kalonte bëhej gjithmonë e më e vështirë për qytetarët. Ishte totalisht e padisiplinuar e gjithë situata dhe në rrugët e Shqipërisë ata që konsideroheshin të kolauduar, nuk përmbushnin asnjë kusht për të thënë të vërtetën. Kështu që ne morëm një vendim, një vendim që në fillim u duk ekstrem, pasi vendosëm që DPSHTRR-ja duhej të ishte përgjegjëse për kolaudimin e automjeteve në Republikën e Shqipërisë. Të gjithë dyshuan, por faktet treguan që në muajt e parë që mënyra sesi ne ngritëm të gjithë procesin e kolaudimit, logjistika e re, pra vendet e reja në të gjithë republikën për kolaudim, stafet e trajnuara, instrumentet inovativ dhe për më tepër rregulli dhe transparenca, bën që kolaudimi në Republikën e Shqipërisë të kthehet në një proces pa shumë mund, në një proces të drejtë, një proces i cili nuk ka nevojë të njohësh askënd, mjafton që automjeti jot të plotësojë kushtet e duhura.
Në ndërkohë që nga ana tjetër duhet thënë që numrat në rastin e kolaudimit janë me të vërtetë impresionues. Nga viti 2020 deri në vitin 2025, 1.647.276 mjete kanë kryer kolaudimin në Republikën e Shqipërisë, prej tyre janë refuzuar 490.112 mjete, pothuajse një e treta e tyre.
Në ndërkohë, testimet online janë një tjetër risi e ofruar nga DPSHTRR dhe duhet thënë që në një botë gjithmonë e më të digjitalizuar, në një botë kur të rinjtë duan gjithmonë e më parë të kenë akses në drejtimin e automjetit, sigurisht, digjitalizimi dhe përafrimi teknologjik në telefonin e secilit, në IPAD-in e secilit apo edhe në kompjuterin e secilit ka qenë hapi më i mirë që kemi bërë, duke shkurtuar kështu burokraci, letra pa fund dhe duke i dhënë mundësi secilit qytetar për akses sa më të shpejtë. 457.774 testime janë kryer online, ndërkohë që kemi 27 mijë instalime të bëra nga telefonat, iPhone dhe 20.621 instalime në Android. Pra, siç u thashë, gjithçka bazuar në faktet e vërteta, gjithçka bazuar në shifra.
Megjithatë, sot kërkohet gjithmonë e më shumë që shërbimet të kenë cilësi akoma më të mirë, që kuadri jonë ligjor, Kodi Rrugor, ka pësuar disa herë ndryshime, të cilat kanë për synim përafrimin me kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian. Shqipëria synon që me përfundimin e autostradave, që po ndërtohen të jetë pjesë e korridoreve Europiane. Shqipëria tashmë është një nga hub-et turistike më të zhvilluara dhe ju e dini më mirë se unë që numri i automjeteve gjatë verës, automjeteve të cilat merren me qera, apo edhe automjeteve që futen nga pikat kufitare është krahasimisht me vitin 2019 disafish i rritur. Të gjitha këto kërkojnë akoma më shumë angazhim dhe pavarësisht gjithë punës të mirë që është bërë në DPSHTRR, ne duhet të angazhohemi akoma më shumë, të injektojmë teknologji të re, të injektojmë inovacion dhe mbi të gjitha të kemi shërbime transparente dhe të shpejta.
Për këtë arsye, DPSHTRR-në do ta drejtoj sipas vendimit të bordit, duke nisur nga sot Kreshnik Bajraktari. Kreshniku ka vite që punon me transportin rrugor. Është inxhinier mekanik, do keni në krye një profesionist i cili ka investuar edhe në edukimin e tij. Një person i cili prej kohësh ka kontribuar në transportin publik në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe në Bashkinë e Tiranës dhe më shumë se një vit ka drejtuar portin e Durrësit, duke u futur edhe në një fushë tjetër të transportit, atë të transportit detar.
Kreshniku është një bashkëpunëtor i mirë, është një zyrtar i ndërgjegjshëm dhe për çka unë mund t'ju garantoj, duke e parë edhe dje nga impakti i ndarjes me punonjësit e portit të Durrësit, do të jetë një drejtues mbështetës, pasi të gjitha punët e mira bëhen me skuadra të mira, me skuadra të motivuara, me skuadra ku gjithsecili nxjerr pjesën e tij më të mirë profesionale dhe nga ana tjetër mbështet edhe shokët për t'u përmirësuar.
Të jeni të sigurt që Kreshniku do ta ofrojë të gjithë këtë proces edhe sepse ka eksperiencë të gjatë në menaxhim dhe në drejtim, por edhe për shkak se ka një karakter të tillë përbashkues që do të mbështeste secilin prej jush në një mision dhe vizion të qartë që DPSHTRR-ja dhe Ministria e Infrastrukturës ka.
Dua të falënderoj Endrin. Endri do marrë një detyrë tjetër për gjithë punën e mirë që ka bërë dhe eksperiencën që ka krijuar ndër vite këtu. Dua të përmend edhe një herë kolegun tim tashmë, Blendi Gonxhen, për të gjithë trashëgiminë e lënë në DPSHTRR dhe një tjetër koleg shumë të mirë, i cili sot drejton një pjesë të mirë të punëve në Bashkinë e Tiranës, Ilir Mëngrën, është kthyer aty nga ku ai e nisi karrierën. Të dy kanë lënë gjurmë këtu dhe jam shumë e sigurt që do të japin mbështetjen e duhur për çdo lloj informacioni në të ardhmen Kreshnikut për të bërë detyrën e tij ashtu siç duhet dhe për të vazhduar çfarë kemi nisur që në vitin 2018 në DPSHTRR.
Shumë faleminderit për vëmendjen!
(A2 Televizion)
