Beleri kërkon pezullimin e dekretit të Begajt, gjykata kalon çështjen për gjykim, ja çfarë ndodhi në seancë

Nga A2 CNN
26 Korrik 2024, 13:30 | Aktualitet

Gjykata Administrative shqyrton sot kërkesën e Alfred Belerit për pezullimin e  zbatimit të dekretit të Presidentit për caktimin datës së zgjedhjeve për Bashkinë Himarë. Kërkesa e Belerit do të shqyrtohet nga gjyqtarja Etleva Gjamo, e ndërsa palë të treta në gjykim janë KQZ dhe Avokatura e Shtetit.

"Marrjen e masës së sigurimit të padisë. Pezullimi i zbatimit të Dekretit nr.244, datë 05.07.2024 të Presidentit të Republikës deri në marrjen e vendimit përfundimtar", thuhet në objektin e padisë së depozituar në Administrative.

Përfaqësuesja e Belerit, avokatja Klodiana Gjyzari ka dhënë argumentet pse kundërshton dekretin.

“Dekreti i Presidentit kundërshtohet edhe nga Alfred Beleri, edhe nga Partia Bashkimi për të Drejtat e njeriut. Dekreti cënon në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e paditësve.Presidenca dhe Avokatura e Shtetit ka të njëjtat prapësime. Pretendojnë se ne nuk legjitimohemi në proces. Ne vlerësojmë se Beleri ka një mandat të vlefshëm, mandat që ka vlerë deri në 5 gusht, kohë kur ai ka të drejtë ankimi. Deri në ushtrimim e kësaj të drejte mandati i tij është i ligjshëm, pasi vendimi i KQZ nuk është i ekzekutueshëm. Ne kemi kërkuar shfuqizim të dekretit. Zgjedhjet në Himarë janë të paligjshme. Vakanca nuk është shpallur në bazë të ligjit dhe si e tillë edhe dekreti nuk është shpallur në bazë të ligjit. Ne kemi kërkuar shfuqizim të dekretit që zgjedhjet në Himarë së pari të jenë të ligjshme.  Sekretari i Përgjithshëm të KM nuk ka të drejtë t'i përcjellë presidentit vendime të KQZ”, tha Gjyzari.

Për përfaqësuesen e Presidentit të Republikës, kërkesa padia ka shumë të meta.

“Pas njohjes me kërkesë padinë, konstatojmë se padia ka të meta sa i takon objektit të padisë. Paditësi kërkon shfuqizimin e dekretit, por citon si bazë ligjore dispozita që flasin për pavlefshmëri aktesh. Nuk mund të kërkohet edhe shfuqizimi dhe pavlefshmëria. Nuk mund t'i kërkohet kësaj gjykate konstatimi i antikushtetutshmërisë.

Dekreti i Presidentit nuk është një akt individual. Dekreti për caktimin e zgjedhjeve është një akt administrativ kolektiv.  Institucioni i Presidentit të Republikës i kërkon gjykatës të konstatojë nëse ka legjitimitet formal nga paditësit. Nëse legjitimohen, atëherë si palë të treta duhet të njoftohen të gjithë subjektet politike që do të garojnë për Bashkinë Himarë. Vakanca në bashkinë Himarë është shpallur nga një institucion kompetent shtetëror dhe i është përcjellë Presidentit të Republikës nga një institucion kompetent shtetëror. Këshilli i ministrave në këtë rast nuk merr vendim, pasi nuk kemi të bëjmë me një vendim shkarkimi”, tha përfaqësuesja e Presidentit të Republikës. 

Pas parashtrimit të argumenteve, Gjykata vendosi kalimin e çështjes për gjykim. Seanca e radhës do të mbahet më 30 korrik, 10:30.

Më 5 korrik, Presidenti Begaj dekretoi 4 gushtin si datë për zgjedhjet e reja në Himarë, menjëherë pasi KQZ vendosi heqjen e mandatit të Blerit si kryebashkiak i Himarës.

Beleri është arrestuar më 12 maj 2023, 2 ditë para zgjedhjeve në Himarë,  dhe aktualisht vuan dënimin me burg për korrupsion aktiv në zgjedhje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos