Metani: Një komunikim diplomatik për drejtësinë ndihmon procesin integrues të vendit në BE

Nga A2 CNN
25 Korrik 2024, 15:02 | Aktualitet

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani është i mendimit se është i nevojshëm një komunikim diplomatik, për drejtësinë në Shqipëri. I ftuar i Akademisë Diplomatike të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Metani u shpreh se ky komunikim do i vinte shumë në ndihmë Shqipërisë, e cila tashmë është në fazën e negociatave me Bashkimin Europian. Ai shtoi se unioni ka një vëmendje të madhe ndaj zhvillime të Reformës në Drejtësi, prandaj theksoi se këto takime janë shumë të nevojshme.

“Jam i kënaqur me vlerësimet në raport sa i takon ILD-së dhe mendoj që kjo na inkurajon për të avancuar më shpejt në drejtim të përvetësimit e konsolidimit të standardeve të BE mbi sundimin e ligjit e shtetin e së drejtës. Mendoj se kontaktet që vendosim përmes takimit të sotëm na shërbejnë, që bashkë me ambasadorët, të prezantohet sa më mirë Shqipëria, edhe në drejtim të asaj çfarë po ndodh me reformën në drejtësi. E për këtë, komunikime të tilla duhet të bëhen me të gjitha institucionet e drejtësisë, në mënyrë që të vijë panorama e plotë e sistemit. Nga vizitat e punës që kam patur tek institucione homologe e të drejtësisë të vendeve të Bashkimit Evropian e jo vetëm, kam vënë re interes të lartë për të kuptuar zhvillimet e drejtësisë në Shqipëri dhe reformën që është realizuar ”, tha Metani, i cili mbajti fjalën “Roli i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në kuadër të reformës në drejtësi, sfidat e ecurisë së saj dhe diplomacia në raport me të”.

Ambasadori i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe Mbretërinë e Belgjikës, Ferit Hoxha nënvizoi vëmendjen e BE për shtetin e së drejtës në Shqipëri, e reflektuar edhe përmes Raportit për sundimin e ligjit, që u publikua një ditë më parë dhe vlerësoi idenë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për këtë lloj bashkëpunimi me diplomacinë për të shpjeguar ecurinë e zhvillimet e reformës në drejtësi në vend dhe prezantuar rezultatet sepse mbi ato do të gjykohet procesi i negociimit për anëtarësimin në BE. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos