Reshje e dëborës janë rikthyer sërish në qarkun e Kukësit. Reshjet e borës kanë qenë prezente që prej orëve të para të mëngjesit, në lartësinë mbi 600 m, shkruan A2 CNN. Si pasojë e këtyre kushteve të motit të gjitha akset nacionale rrugore vazhdojnë të jenë nën trysninë e rënies së gurëve, inerteve, borës dhe ngricave duke krijuar vështirësi në qarkullimin normal të mjeteve në disa segmente rrugore.
Në segmentet e rrugëve Ura e Topojanit-Shishtavec, Kolosjan-Peshkopi, Shemri-Qaf Mali, Dragobi -Valbonë por edhe në Fushë Dugagjin -Tunel i Kalimashit të rrugës së Kombit, pati reshje dëbore duke krijuar një shtresë 3 deri 5 cm. Në fshatrat e Shishtavecit e zonave të tjera të thella malore trashësia e dëborës ka arritur në 5-10 cm.Subjektet kontraktore kanë punuar dhe po punojnë gjatë gjithë kohës me të gjitha kapacitetet për mbajtjen funksionale të tyre. Ata ndodhen në terren për çdo situatë, ndërsa po bëjnë të mundur edhe kriposjen dhe pastrimin e rrugëve nga bora.
Aktualisht të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme normalisht. Prezencë dëbore ka edhe në rrugët rurale por sipas Komisionit të Mbrojtjes Civile për momentin të gjitha rrugët janë të qarkullueshme dhe pa probleme. I gjithë Qarku i Kukësit furnizohet normalisht me energji elektrike, përveç Nj. Adm Llugaj bashkia Tropojë. Fshati Vlahen, Nj Adm Golaj dhe fshatrat Pogaj e Kishaj Nj Adm Gjinaj, Bashkia Has.Ndërkohë reshjet e shiut të rënë në zonat e ulëta me intensitet mesatar kanë sjellë rënie gurësh e inertesh të cilat janë pastruar menjëherë pa sjellë probleme në qarkullimin e mjeteve. (A2 Televizion)