Censusi vjetor i shpendëve dimërues në Liqenin e Prespës ka treguar një situatë përgjithësisht të qëndrueshme krahasuar me vitet e kaluara, si për nga numri ashtu edhe për nga larmia e specieve. Megjithatë, këtë vit janë evidentuar edhe zhvillime të veçanta, si prania e disa specieve të rralla dhe ndikimi gjithnjë e më i dukshëm i ndryshimeve klimatike në habitatet natyrore të shpendëve.
Sipas specialistëve që po kryejnë numërimin, liqeni vijon të mbetet një zonë me rëndësi të veçantë për shpendët migratorë dhe dimërues, por ulja e nivelit të ujit dhe tjetërsimi i habitateve përbëjnë një kërcënim real për të ardhmen e tyre.
“Ne kemi bërë numërim në pesë pika kryesore të përhershme të liqenit dhe krahasuar me vitet e tjera jemi në të njëjtat shifra. Por, ndryshe nga herë të tjera, këtë vit kemi gjetur katër individë të mjelmës, kemi pasur edhe praninë e species Mergus merganser, i cili është një specie e rrallë për këtë liqen. Është prezent për arsye sepse ka gjetur edhe qetësinë në këto brigje, si në drejtim të gjuetisë ashtu edhe në lëvizjet në këto brigje. Meqë liqeni ka qenë duke u tërhequr, habitati i kallamishtes në brigjet e liqenit është gati i njëjtë në të tre shtetet që lag liqeni, dhe vëmë re që këtë vit në numër shpendi i bajzës ka përqendrim të lartë, kjo falë edhe temperaturave që kanë qenë shumë optimale. Ndryshimet klimatike i prekin shpendët migratorë, sepse këto ndryshime kanë sjellë uljen e nivelit të liqenit, por edhe lëvizjen e shpendëve si pasojë. Dalja e kallamishteve në tokë nga tërheqja e ujit bën që ato të mos jenë më habitat për shpendët dhe të mos shfrytëzohen prej tyre për të folenizuar apo jetuar në këto habitate”, shprehet për A2 CNN, Vasil Male, Përgjegjës i sektorit të menaxhimit në zonat e mbrojtura.
“Deri tani nga numërimi janë shifra të njëjta me vitin e shkuar, e njëjta vlen edhe për speciet. Kemi lloje si bajzat, rosat laramane apo rosat me katër sy. Shumë e rëndësishme është ruajtja e tyre si pjesë po aq e rëndësishme e ekosistemit të Liqenit të Prespës. Duhen parë me kujdes edhe faktorët si shqetësimi njerëzor, ndryshimi i klimës, tjetërsimi i habitatit etj. Prandaj kryhet edhe censusi i shpendëve dimërues për të parë ecurinë, ndryshimin e popullatave të ndryshme që dimërojnë në vendin tonë dhe, duke i krahasuar me të dhëna shumëvjeçare, ne arrijmë të dallojmë ndryshimet apo nëse ka rënie, e kështu mund të përcaktojmë dhe shkaqet e ndryshimeve”, thotë për A2 CNN Klajdi Duro, specialist ornitolog dhe numërues në censusin e shpendëve të ujit.
Numërimi i shpendëve kryhet njëkohësisht në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut si dhe në liqenin e Ohrit. Një nga faktorët kryesore të rritjes së numrit të individëve dhe llojit të specieve është edhe moratoriumi i gjuetisë. (A2 Televizion)