
Një bankë 100 digjitale pritet të vijë në tregun bankar shqiptar. Bëhet fjalë për Jet Bank, që ka marrë licencën paraprake nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.
Në drejtimin e saj, si rrallë herë në sektorin bankar, do të jetë një grua, me mbi dy dekada eksperiencë në sistemin financiar, brenda dhe jashtë Shqipërisë. E ftuar në “Top Story”, Fatbardha Rino, Drejtore Ekzekutive e Përgjithshme e Jet Bank, ndërsa ka zbërthyer skemën e funksionimit të Jet Bank, proceset e licensimit konform rregullave, ligjeve kombëtare e standardeve europiane, për ekosistemin e partnerëve e plaftormave të certifikuara ndërkombëtare, të cilat garantojnë një teknologji të sigurisë së lartë, ka folur dhe për rrugëtimin e saj profesional.
CEO e Jet Bank tregon se propozimin për të qenë pjesë e Jet Bank, e ka marrë pas një sërë takimesh me menaxherin e projektit, i cili kishte hapur 3 banka, 2 prej të cilave ishin “GreenField”. Aty kuptoi se ky projekt do të ishte një pikënisje shumë e rëndësishme dhe sfida që i mungonte një gruaje me shpirt sipërmarrës për transformim, si ajo.
Rrugëtimi i saj profesional, 24-vjecar, ka nisur me sfida të ndryshme e të rëndësishme, që prej vitit 2001 kur bankat ishin ende shtetërore.
“E kam filluar karrierën time me bankën Amerikane që sot është Intesa San Paolo. Më pas kam vijuar në banka me standarte shumë të veçanta për Shqipërinë e në një bankë tjetër internacionale, e cila bleu një nga bankat më të mëdha në Shqipëri. Kam qënë pjesë e gjithë transformimit të asaj banke, duke lëvizur nga një pozicion në tjetrin apo dhe duke qenë në disa role paralelisht. Pra karriera ime nuk ka shkuar në vijë lineare. Në vitet kur e kam nisur karrierën, zhvillimi i sistemit bankar ka qënë shumë i shpejtë. Gjendeshin njerëz të rinj, në pozicione shumë të rëndësishme edhe drejtuese. Jam gjendur në momente të rëndësishme, por shpesh herë ka ndodhur që edhe të më kenë kërkuar, që të jem në procese ku ka pasur gjithmone diçka për t’ u rregulluar apo trasformuar.”- u shpreh Rino.
Një kapitull i rëndësishëm i kësaj karriere është përvoja ndërkombëtare, me disa vite pune në Austri, kur u gjend në një dimension të ri, sfidues.“Nëse këtu në Shqipëri merreshe vetëm me bankën brenda një shteti, atje duhej të merreshe me 14 shtete, me krizat që ndodhnin nëpër të gjitha këto shtete. Duhet të vendosnim strategjitë, të mendonim si të monitoroheshin 14 shtete, ku çdo zë kishte rëndësi. Mua ajo eksperincë më ka ndryshuar si bankiere, duke u përballur me një dimension krejt ndryshe, ku çdonjëra nga bankat ishte e veçuar, kishte strategjinë e vet por, ti duhet të kuptoje se si të bëje strategji, që ato të shkonin në një drejtim të caktuar, pra si një orkestër.”- tha Rino.

Kjo përvojë e nxiti të mendojë përtej produkteve klasike, përtej kredive dhe pagesave dhe ta shohë bankën si një strukturë teknologjike dhe strategjike. Veçanërisht pas krizës financiare të vitit 2008, e cila shërbeu si pikë reflektimi për gjithë sistemin dhe më tej pas viti 2013, kur digjitalizimi nisi të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si bankat operonin dhe si kuptohej marrëdhënia me klientin. “Në 2014 ne u përballëm me një sfidë të jashtëzakonshme të sistemit, ku po ndryshonin rregullat e lojës, përsa i përket digjitalizimit. Në tregun europian po përballeshim me Monzon, me Revolutin dhe N26, të cilat atëherë mendoheshin sikur preknin segmente të caktuara të një banke, pra pagesat, kreditë e vogla të shpejta, pjesën e pagesave internacionale, etj. Por, në 2015 kuptuam që ato po sillnin produkte të reja, po arrinin të kuptonin konsumatorin në nëvojat, më përpara se ata t’i kishin. Diskutohej se si mund të transformohej një bankë tradicionale, e besueshme me histori 100 vjeçare në treg. Dua të theksoj këtu se sa e rëndësishmë është të kuptohet se vështirësia që të ndryshosh një sistem të ndërtuar prej shumë vitesh, është shumë herë më e madhe sesa të krijosh një bankë nga zero.”- u shpreh Rino.
Gjatë rrëfimit të saj CEO thekson faktin se pas proceseve të ngritjes së kësaj banke digjitale është një grup profesionistësh. “Çdo njeri prej tyre ka kaluar më shumë se 20 vjet eksperiencë në sistemin bankar. Disa prej tyre kanë qenë pjesë e ndryshimit nga një bankë shtetërore në një bankë private apo që kanë kaluar nga një bankë standarde në banka të digjitalizuara. Për mua gjetja e ekipit ka qenë një nga objektivat e rëndësishëm, të fillimit të këtij rrugëtimi.”
E pyetur edhe për sfidat e saj personale, si grua, si nënë e dy fëmijëve, Rino e konsideron balancën mes familjes dhe karrierës si një proces dinamik. “Ashtu si në punë edhe në familje, vendimet, sfida e çdo gjë tjetër duhet të ndëmerren së bashku. Duhet ta pranojmë se në kohën që bën karrierë, është e pamundur të mos humbësh ca momente nga familja ashtu siç ka momente që familja merr prioritet dhe duhet të heqësh dorë nga karriera.”- tha Rino duke e mbyllur këtë rrëfim me një filozofi shumë të thjeshtë: të pyesë njerëzit që ka pranë, për nevojat, kërkesat e tyre, për të kuptuar se çfarë duhet të ofrohet në treg, se sa e nevojshme është të ndërtohet një bankë, një platformë digjitale, jo vetëm një aplikacion, që njerëzit e çdo gjeneratë të mund të menaxhojnë financat, në mënyrën më efiçente e më të thjeshtë të mundshme.“Për të bërë një bankë që të jetë në telefonin tënd”- siç ja ka sqaruar, fare thjeshtë, të birit, kur ai e ka pyetur
“O mami çfarë pune bën ti?”. (A2 Televizion)