Terminali dhe informaliteti, drejtuesit e autobusëve në Vlorë në protestë

Nga Edi Ruçi
17 Janar 2026, 09:18 | Aktualitet

Terminali dhe informaliteti, drejtuesit e autobusëve në Vlorë

Drejtuesit e autobusave interurbanë në Vlorë janë në pritje të një zgjidhjeje për çështjen e terminalit. Aktualisht, ata po funksionojnë në terminalin pranë rrugës së re, ndërsa ende nuk e dinë se si do të funksionojë situata për vitin 2026.

Drejtuesit e autobusave janë kundër zhvendosjes së terminalit në hyrje të qytetit të Vlorës, pranë rrugës së paraburgimit, kjo edhe për shkak të largësisë nga qyteti. Ata pranojnë se janë ende në pritje të një zgjidhjeje për këtë problematikë, por njëkohësisht kërkojnë edhe luftën kundër informalitetit, pasi sipas tyre po shkojnë drejt falimentimit.

Në intervistat e tyre, ata kanë theksuar se presin edhe një takim me kryetaren e Bashkisë Vlorë, ndërsa paralajmërojnë se, nëse nuk do të gjejnë një zgjidhje, do të përshkallëzojnë protestat, shkruan A2 CNN.

Në ditët e fundit të dhjetorit, drejtuesit e autobusave interurbanë pezulluan aktivitetin e tyre dhe dolën në protestë, duke kërkuar përcaktimin e një vendi për terminalin dhe goditjen e informalitetit. Ndërkohë, edhe gjatë këtij janari të vitit 2026, ata vijojnë të jenë në pritje të një zgjidhjeje për problematikat e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos