E hëna ka rikthyer reshjet e dendura të borës në qarkun e Kukësit. Pas zonave të larta malore mbi 800 metra, që prej mesnate kanë nisur reshjet e borës edhe në zonat e ulëta dhe në qytet.
Mësohet se rrugët nacionale janë të qarkullueshme e pa probleme. Po ashtu edhe Rruga e Kombit është e qarkullueshme në të gjithë gjatësinë e saj, ndërsa mjetet borëpastruese janë ne terren për pastrimin e borës dhe hedhjen e kripës.
Megjithëse duhet pasur kujdes në lëvizje pasi segmentin Thirr-Fan-Reps, për shkak të prezencës së borës në orët e para të mëngjesit janë shënuar dy aksidente zinxhirë, ndërsa në daljen e fshatit Fan një mjet tjetër ka dalë nga rruga, shkruan A2 CNN.
Aksidentet fatmirësisht janë me vetëm me dëme materiale. Reshjet e borës janë prezente në të gjitha akset nacionale e rurale, drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë kujdes të ulin shpejtësinë dhe të jenë të pajisura me mjete dimërore.
Sipas Prefekturës Kukës situata e motit në bashkinë Tropojë është me vranësira, ndërsa bashkitë Kukës dhe Has janë të përfshira nga reshje bore me intensitet mesatar. Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme normalisht.
Nga subjektet kontraktore është punuar për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve nacionale dhe mbajtjen funksionale të tyre. Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk ka raportime për ndonjë problematikë emergjente tek banorët. I gjithë Qarku i Kukësit furnizohet me energji elektrike. Furnizimi me ujë të pijshëm bëhet sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria UK Kukës. Ndërkohë që në terren janë nxjerrë mjetet e bashkisë për pastrimin e tyre, si dhe firmat e mirëmbajtjes së rrugëve. Drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë kujdes të ulin shpejtësinë dhe të jenë të pajisura me mjete dimërore. (A2 Televizion)