Gjykata Administrative Tiranë vendosi të marrë në shqyrtim më 30 korrik padinë e Alfred Belerit kundër dekretit të Presidentit të Republikës për caktimin e 4 gushtit si datë zgjedhjesh për Bashkinë Himarë. Me herët, në Dhomë Këshillimi, gjykata pati refuzuar kërkesën për pezullimin e zbatimit të dekretit deri në shpalljen e vendimit përfundimtar.
Në seancën përgatitore të zhvilluar të premten, përmes avokates së tij, Klodiana Gjyzari, europarlamentari grek që vuan një dënim në burgun e Fierit, kërkoi shfuqizimin e dekretit presidencial, duke e konsideruar të paligjshëm. I njëjti qëndrim u mbajt edhe nga paditësi tjetër, Partia për të Drejtat e Njeriut.
Sipas avokates Gjyzari, Alfred Beleri, nuk e kishte humbur ende mandatin e kryetarit të Bashkisë Himarë, për shkak se ai kishte të drejtë ligjore të ankimonte vendimin e KQZ në KAS, Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve, deri më 5 gusht.
“Deri në ushtrimin e kësaj të drejta, mandati i tij është i ligjshëm, tha avokatja Gjyzari, pasi vendimi i KQZ nuk është i ekzekutueshëm”. Përfaqësuesja ligjore e Beleri tha se Presidenca ishte vënë në lëvizje nga një shkresë e Këshillit të Ministrave të firmosur nga një person jo kompetente, sipas saj, Sekretari i Përgjithshëm dhe jo nga kreu i Këshilli.
“Zgjedhjet në Himarë janë të paligjshme. Vakanca nuk është shpallur në bazë të ligjit dhe si e tillë edhe dekreti nuk është shpallur në bazë të ligjit. Ne kemi kërkuar shfuqizim të dekretit, që zgjedhjet në Himarë së pari të jenë të ligjshme e më pas të lira e të ndershme. Sekretari i Përgjithshëm të KM nuk ka të drejtë t'i përcjellë presidentit vendime të KQZ”, tha avokatja.
Përfaqësuesja e palës së paditur, Presidencës së Republikës, kërkoi rrëzimin e padisë, duke pretenduar se kërkuesit nuk legjitimoheshin dhe se padia kishte të meta në objektin e saj dhe në referencat ligjore.
“Vakanca në bashkinë Himarë është shpallur nga një institucion kompetent shtetëror dhe i është përcjellë Presidentit të Republikës nga një institucion kompetent shtetëror”, tha përfaqësuesja e Presidencës.
Në të njëjtën linjë arsyetuan edhe palët e treta në proces, Avokatura e Shtetit dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. (A2 Televizion)