Delvina e Poliçani mbeten në situatë kritike, Rama bën bilancin e zjarreve në 24 orët e fundit

Nga A2 CNN
13 Gusht 2025, 20:40 | Aktualitet

Kryeministri Edi Rama përmes një njoftimi në Facebook ka reaguar për situatën e krijuar nga zjarret në vend. Kjo e mërkurë që prej orëve të para të mëngjesit ka qenë sipas Ramës një ditë sakrifice dhe krenarie për të gjitha strukturat shtetërore, të angazhuara për shuarjen e flakëve në mbarë vendin.

Rama bën një bilanc të situatës duke thënë se gjatë 24 orëve të fundit kanë qenë 34 vatra aktive zjarri, 13 prej të cilave të izoluara dhe të shuara.

Përpjekjet në terren për shuarjen e flakëve vijojnë pa ndërprerje, ndërsa sipas Ramës gatishmëria është maksimale dhe bashkëpunimi mes të gjitha strukturave shtetërore dhe mbështetja e partnerëve europianë dhe emiratas po vijon për të përballuar këtë situatë të vështirë.

“Në operacione janë angazhuar dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe trupa të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në të gjitha bashkitë e prekura. Mbi 600 efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, punonjës bashkiakë dhe forca vullnetare. 5 helikopterë dhe 1 avion zjarrfikës Canadair i sjellë bujarisht nga miqtë e shtrenjtë italianë. Qindra mjete, përfshirë autoambulanca dhe mjete transporti për evakuimin dhe mbështetjen e banorëve

 Vatra që kërkojnë vëmendje në vazhdim: Delvinë, Poliçan, Gramsh, Dropull, Finiq, Berat, Tepelenë dhe Bulqizë, ku forcat nga toka dhe mjetet nga ajri po punojnë pa u ndalur për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe pronës”, shkruan Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos