Një zjarr masiv që nisi nga territori i Bashkisë Delvinë ka përfshirë tashmë Malin e Sopotit dhe është përhapur me shpejtësi drejt territorit të Bashkisë Gjirokastër. Flakët e fuqizuara nga era dhe temperaturat e larta kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha pyjore dhe tashmë po i afrohen zonave të banuara, duke përbërë një rrezik serioz për qytetin e Gjirokastrës dhe fshatin Lazarat.
Forcat zjarrfikëse të Gjirokastrës janë angazhuar maksimalisht në terren, ndërsa në ndihmë të tyre janë bashkuar edhe banorë të fshatit Lazarat. Të rinjtë e zonës po përballen me guxim krah për krah me zjarrfikësit, duke kontribuar në përpjekjet për të frenuar përhapjen e zjarrit.
Siç mëson A2 CNN, flakët janë të fuqishme dhe rreziku për avancim drejt zonave të banuara është shumë i madh. Deri më tani nuk ka raportime për të lënduar, por dëmet në sipërfaqet pyjore dhe mjedis janë të konsiderueshme.
Operacioni i shuarjes vijon pa ndërprerje, por autoritetet lokale pranojnë se situata mbetet kritike dhe pa garanci për ndalimin e shpejtë të flakëve. (A2 Televizion)