“Të riformulojmë filozofinë e mbrojtjes nga zjarri”, Llajo e Kiço: Ja pasojat nga zjarret në Delvinë

Nga A2 CNN
13 Gusht 2025, 17:43 | Aktualitet

“Të riformulojmë filozofinë e mbrojtjes nga zjarri”,

Deputeti i zgjedhur Vasil Llajo dhe nënprefekti Kristaq Kiço ishin të ftuar në Ditarin e pasdites në A2 CNN ku sollën një përmbledhje të situatës së krijuar nga zjarret në Finiq dhe Delvinë.

Llajo tha për gazetaren Bruna Çifligu se situata tashmë në këto zona është më e qetë dhe aktualisht po ndërhyhet edhe nga ajri.

“Në Bistricë të Finiqit. Situata është në kontroll, por me ardhjen e dy helikopterëve, një Canadair dhe strukturat e zjarrfikësve kanë bërë të mundur që situata të jetë në kontroll. Nuk kemi viktima në njerëz. Policia ka shkuar shtëpi më shtëpi për të ndihmuar banorët. Dhe sot nuk kemi viktima. Kemi një situatë më të qetë dhe vatra të vogla”, tha Llajo.

Ndërkohë që nënprefekti Kiço u shpreh se Shqipëria nuk është përballur ndonjëherë me zjarre të përmasave kaq të mëdha dhe shtoi se kur të tejkalohet kjo situatë duhet të rishihet dhe filozofia e mbrojtjes nga zjarri.

“Në Delvinë hasëm një situatë të vështirë. Dhe sot kishim një vatër të re në Aliko të Finiqit. Zjarri nisi në mëngjes dhe u vu në kontroll pas disa orësh. Përpjekje maksimale për të shpëtuar njerëzit. Në Delvinë, flakët e zjarrit vijuan në Kakodhiq, Lefterol duke u futur në oborret e shtëpive dhe përgjatë fshatit Rusan. Ky zjarr nuk ka përfunduar, po operon një Canadair nga Itali deri sa të bëjë të pamundurën me këtë vatër. Dy helikopterë kanë ardhur dy herë dhe janë përpjekur të minimizojnë flakët. Zjarr si ky nuk kemi pasur asnjëherë. Nuk duhet ta lemë cështjen deri këtu. Ky ishte një zjarr masiv, i ndikuar dhe nga temperaturat. Duhet të riformulojmë filozofinë e mbrojtjes nga zjarri”, tha Kiço. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos