Bizneset në veri të vendit do të ofrohen që t’u paguajnë turistëve tarifën e Rrugës së Kombit gjatë sezonit veror. Lajmin e bëri të ditur kreu i Shoqatës së Restoranteve dhe Bujtinave, Kujtim Dervishi, në një bisedë me Erion Dushin në Ditarin e Fundjavës.
“Taksën e traut të tunelit të Rrugës së Kombit ne do ta paguajmë si biznese. Nëse një turist vjen në biznesin tim, unë do t’i marr biletën dhe do t’i kthej 5 euro,” deklaroi Dervishi ndër të tjera.
Ai solli në vëmendje se çmimet, problemet me infrastrukturën rrugore, por edhe sjelljen jo të denjë ndonjëherë të stafeve mikpritëse kanë bërë që turistët nga Kosova të detyrohen të zgjedhin destinacione të tjera për verën, duke e shmangur Shqipërinë.
Dhe, iniciativa si ajo e përmendur më lart, sipas Dervishit, mund të ndihmojnë në ndryshimin e këtij trendi. Si shembull ai sjell edhe një iniciativë tjetër që 40 subjekte ndërmorën në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme të Kosovës, për t’u ofruar 20% ulje të gjithë ushtarakëve të Kosovës që vizitojnë Shqipërinë gjatë gjithë vitit.
E njëjta gjë pritet të aplikohet edhe për policët e Kosovës.
“Kështu, mbështesim edhe turizmin patriotik por edhe atë ekonomik. 20% ulje në rrjetet e restoranteve dhe të hoteleve në vend.” (A2 Televizion)