“734 mijë vizitorë e shijuan Shqipërinë gjatë muajit mars, ose 91% më shumë se marsi i vitit të shkuar”. Kryeministri ka ndarë me ndjekësit e tij në Facebook shifrat e turistëve të huaj që kanë vizituar vendin tonë gjatë tremujorit të parë të këtij viti.
Mbi 1,7 milionë turistë të huaj na kanë vizituar gjatë tre muajve të parë të vitit 2024, duke vendosur një rekord të ri për industrinë tonë të re të mikpritjes. 734 mijë vizitorë e shijuan Shqipërinë gjatë muajit mars, ose 91% më shumë se marsi i vitit të shkuar, duke shenjuar në shifra një progres të madh, të cilit duhet t'i përgjigjemi me standarde gjithnjë e më të larta mikpritjeje, duke bashkuar forcat për shërbime publike e private të nivelit më të mirë”, shkruan Rama.
Më herët ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro e konsideroi një rekordin numrin e vizitorëve të huaj në vendin tonë. Ajo theksoi se sfida tashmë nuk janë numrat, por garantimi i standardeve, cilësisë dhe turizmi elitar.
Java që vjen nis me një ngjarje të rëndësishme për turizmin, siç është takimi i 70-të i Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit dhe Konferenca e Investimeve gjatë së cilës do të prezantohet udhëzuesi “Tourism Doing Business: Investing in Albania". Kjo është hera e parë që Shqipëria pret zyrtarisht një event të Organizatës Botërore të Turizmit. (A2 Televizion)