“Dhuna nuk do të tolerohet”, ministri i Brendshëm mohon akuzat e opozitës për armë

Nga A2 CNN
18 Tetor 2024, 11:14 | Aktualitet

Dhuna, djegia, shkatërrimi dhe goditja ndaj punonjësve të policisë nuk do të tolerohet. Kështu u shpreh ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, një ditë pas dhunës së opozitës në parlament dhe akuzave se policia nxori armën ndaj deputetëve demokratë. Ministri mohoi nxjerrjen e armës nga Policia, sikurse deklaroi zyrtarisht edhe policia një ditë më parë, ndërsa shprehu keqardhje për deputetë që dhunuan punonjësit e policisë dhe të gardës, shkruan A2.

“Keqardhje për deputetë e opozitës të cilët ushtruan dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe gardës që ishin atje për të ushtruar detyrën. E drejta e tubimit do të garantohet gjithmonë nga policia, kurse e drejta e dhunës, djegies, shkatërrimit, goditjes së punonjësve të policisë nuk do të tolerohet. Në deklaratën e policisë së shtetit është shprehur qartë që nuk ka pasur asnjë tentativë të nxjerrjes së armëve nga ana e punonjësve të policisë. Në ligjin për tubimet është përcaktuar rasti i përdorimit të armëve të zjarrit. Forcat e policisë së shtetit nuk kanë pasur dhe nuk kanë qenë të pajisur me armë zjarri”, u shpreh ministri për mediat, raporton A2.

Sipas tij forma dhe mënyra e intimidimit dhe imponimit të kësaj mazhorance me mjete shkatërruese e djegëse nuk është forma e duhur dhe bie ndesh me parimet e demokracisë.

“Sulmi i deputetëve ndaj policisë e gardës në prag të marrjes të anëtarësimit ën BE nuk është io pranueshëm, sepse forcat e policisë dhe garda janë atje për të mbrojtur institucionet kushtetuese. Forcat e policisë së shtetit që kanë qenë të planizuar me shërbim kanë qenë atje për të bërë detyrën dhe mbrojtjen e insitucioneve. Ndjej shumë keqardhje që forma dhe mënyra e intimidimit dhe imponimit të kësaj mazhorance me mjete shkatërruese e djegëse nuk është forma e duhur dhe bie ndesh me parimet e demokracisë”.

Ministri theksoi se “mosbindja civile është një term që po keqpërdoret. Punonjësit e policisë janë atje për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike. Asnjë kapërcim tjetër nuk do të lejohet në kuadër të mbrojtjes së institucioneve dhe kushtetutës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos