Debati për akt-ekspertimin, Mediu: Çdo fishek për Gërdecin raportohej në NATO

Nga A2 CNN
17 Tetor 2024, 16:43 | Aktualitet

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kundërshtoi edhe njëherë para Gjykatës së Posaçme përfundimet e nxjerra në akt-ekspertimin ekonomiko-financiar për çështjen “Gërdeci”.

Sipas ish-ministrit të akuzuar për “shpërdorim të detyrës”, akti që vlerëson dëm miliona euro të shkaktuara nga procesi i demontimit, nuk ka logjike ekonomike e aritmetike e as ligjore.

“Për ekspertët duket sikur municionet demontoheshin me frymën e shenjtë. Kishte nevojë për investim, kishte nevojë për teknologji, kishte nevojë për kosto operative. Nëse do ecnim me atë që pretendojnë ekspertët, sipas ofertës së Poliçanit, do të duheshin 30 vjet për të përfunduar procesi i demontimit. Pra edhe sot e kësaj dite nuk do të kishte mbaruar demontim. Për shkak të asaj që ka ndodhur, të mos dish të analizosh ekonomikisht, të përpiqesh të manipulosh në mënyrë të qëllimshme, t’i bësh ekspertët prokurorë dhe gjyqtarë, kjo është një gjë krejt e pa pranueshme dhe alogjike”, tha Mediu.

Ish-ministri mohoi me forcë edhe pretendimin e ekspertëve, se shefi i Shtabit të Përgjithshëm nuk kishin dijeni për transportin e municioneve, duke thënë se për një operacion të tillë ushtarak informohej Presidenti i Republikës, Kryeministri, por edhe NATO.

“Asnjë fishek nuk shkonte pa raportuar në NATO. Asnjë pajisje që dilte apo futej në MM ishte raportuar në strukturat e NATO, me dokumentacione të cilat miratoheshin në qeveri dhe NATO. Nuk ka pasur asnjë gjë jashtë marrëdhënieve të transparencës dhe kjo transparencë është bërë në të gjithë hierarkinë, zinxhirin e komandimit, qoftë politik, qoftë ushtarak”, deklaroi Mediu.

Në seancën e kaluar Gjykata e Posaçme refuzoi kërkesën e ish-ministrit për të kryer një riekspertim të pjesshëm ekonomiko-financiar.

Ish-ministri kërkoi riekspertim pas pretendimeve se akti i paraqitur si provë nga SPAK është përpiluar nga persona që nuk gëzonin tagrin e ekspertit, që nuk kanë shqyrtuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe që kanë dalë në përfundime të gabuara. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos